Numri i refugjatëve ka rënë, por çështja s’është zgjidhur

Një zëdhënës i Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara kritikon vendet e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit për mbylljen e kufijve për refugjatë. Kur të gjitha rrugët e ligjshme mbyllen, biznesi i vetëm që do të lulëzojë është kontrabanda dhe trafikimi me njerëz, thotë Babar Baloch në një interevistë për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë: Si është situata me refugjatë këto ditë?

Babar Baloch: Ajo çfarë shohim tani është se të gjithë refugjatët që arrijnë në Greqi, mbeten të bllokuar atje. Aktualisht flasim për 53,000 refugjatë dhe migrantë në Greqi. Prejse Maqedonia ka mbyllur kufirin me Greqinë, numri i refugjatëve që lëvizin drejt vendeve të Ballkanit dhe tutje është i vogël. Kur të gjitha rrugët e ligjshme për migrantë mbyllen, biznesi i vetëm që do të lulëzojë është kontrabanda dhe trafikimi.

Radio Evropa e Lirë: Sa refugjatë po arrijnë në Evropë në baza ditore?

Babar Baloch: Vitin e kaluar, kemi parë rreth një milion refugjatë që kanë ardhur në Evropë. Ata kanë arritur nga Turqia në Greqi dhe më pastaj kanë lëvizur tutje. Tani, për shkak të marrëveshjes midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian, numri i tyre ka rënë, por çështja nuk është zgjidhur. Tani shohim njerëz që bëjnë përpjekje të arrijnë nga Turqia në Bullgari.

Disa prej tyre vdesin në rrugë. Ka pasur edhe të tjerë që kanë humbur jetën derisa kanë bërë përpjekje të vijnë nga Libia në Itali. Dhe, nuk duhet të befasohemi, sepse kur rrugët legale për refugjatë janë të mbyllura, trafikuesit dhe kontrabanduesit me njerëz përpiqen të përdorin dëshpërimin e refugjatëve. Ajo që duhet të shohim është zgjidhja për dëshpërimin e refugjatëve dhe jo mbyllja e dyerve.

Radio Evropa e Lirë: Sa refugjatë janë të bllokuar në vendet e Ballkanit?

Babar Baloch: Aktualisht janë disa qindra, ose afër njëmijë në Maqedoni; disa mijëra në Serbi, ndërsa më pak në Kroaci dhe Slloveni. Por, tani, ka sërish njerëz që vijnë te zonat kufitare të Hungarisë dhe kërkojnë azil. Hungaria ka politika shumë kufizuese. Në baza ditore ajo lejon 20 ose 30 refugjatë, ndërsa qindra të tjerë, gra dhe fëmijë, presin në qiell të hapur për të hyrë brenda.

Radio Evropa e Lirë: A kanë qenë të gatshme vendet e Ballkanit të trajtojnë një krizë të tillë të madhe?

Babar Baloch: Përgjegjësia ka qenë e Bashkimit Evropian. Kur ata (refugjatët) kanë arritur në Greqi, atje nuk kanë gjetur siguri ose mbrojtjen efektive dhe është dashur të lëvizin drejt Ballkanit, në përpjekje për të arritur Evropën. Ballkani ka bërë përpjekje të trajtojë çështjen, por ai nuk ka sistemin e duhur të azilit për t’u kujdesur për këta refugjatë. Vendet e Ballkanit po ashtu kanë parapëlqyer të shohin njerëzit duke kaluar transit dhe jo duke qëndruar atje. Refugjatët edhe ashtu nuk kanë dashur të qëndrojnë atje, sepse kanë synuar Evropën Perëndimore.

Radio Evropa e Lirë: A i kanë vendet e Ballkanit kapacitetet dhe strategjitë e duhura?

Babar Baloch: Ato kanë shënuar pak përparime, por nuk janë në nivel të kënaqshëm, që na lejon të themi se refugjatët mund të kenë mbrojtje të dobishme ose mekanizëm efektiv të azilit. Megjithatë, Bashkimi Evropian duhet të veprojë si i bashkuar - pra të 28 vendet anëtare - në përgjigje të kësaj krize. BE po ashtu duhet të punojë me rajonet fqinje, me rajonin e Ballkanit, në trajtimin e krizës. BE dhe asnjë vend i saj nuk duhet të zhvendosë përgjegjësitë drejt Ballkanit. Evropa duhet t’i pranojë përgjegjësitë e veta.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë kërcënimet dhe sfidat për vendet e Ballkanit, sa i përket krizës me refugjatë?

Babar Baloch: Duhet ta kuptojmë se refugjatët janë njerëz që kanë mbijetuar luftën, konfliktin. Vendet e Ballkanit kanë kaluar këtë fazë po ashtu. Qytetarët e tyre kanë qenë vetë refugjatë, kanë parë shkatërrime të mëdha. Ka ekzistuar një kohë kur vendet e tjera i kanë ndihmuar njerëzit e Ballkanit. Kjo është koha, ashtu si edhe për Evropën, që të tregohet solidaritet me refugjatët. Refugjatët nuk duhet të shihen si barrë, por si njerëz që kanë nevojë.

Radio Evropa e Lirë: Cili ka qenë ndikimi i marrëveshjes BE-Turqi për të ndaluar dyndjen e refugjatëve?

Babar Baloch: Marrëveshja BE-Turqi flet më shumë për migrantë, ose për ata që nuk kualifikohen si refugjatë. Qysh më 20 mars, 2016, kur ka hyrë në fuqi kjo marrëveshje, të gjithë njerëzit që arrijnë në Evropë, mbahen në qendra paraburgimi. Kërkesa jonë si UNHCR është që secili që arrin dhe kërkon azil në Evropë, duhet të ketë qasje në procedurat e azilit. Rreth 90 përqind e njerëzve që kanë arritur në Greqi, janë nga dhjetë vendet kryesore në botë që prodhojnë refugjatë.