Ambasada amerikane mirëpret vendimin e Kushtetueses në Maqedoni

Protestat në Maqedoni, 21 prill 2016

Ambasada amerikane në Shkup ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë për pezullimin e zgjedhjeve të 5 qershorit dhe vendimin për shpërndarjen e Kuvendit.

“Kjo paraqet dhe një mundësi të re për Kuvendin dhe liderët politik që të demonstrojnë me vepra përkushtim ndaj Marrëveshjes së Përzhinës dhe parimeve të saj” thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane.

Por, gjithashtu ambasada kërkon zbatimin e reformave dhe në veçanti anulimin e vendimit të presidentit Gjorge Ivanov për faljen e zyrtarëve që po hetohen për vepra të rënda penale.

“Anulimi i faljeve të 12 prillit duhet të ndodh urgjentisht në mënyrë e cila do të ruajë parimin e përgjegjësisë...të qenurit të barabartë para ligjit është parim themelor demokratik. Partitë duhet të mbështesin Prokurorinë Speciale në mënyrë të prerë. Puna e papenguar e Prokurorisë Speciale është jetike për të siguruar përgjegjësi për keqpërdorimet e mundshme në lidhje me përgjimet, si dhe për të tejkaluar krizën aktuale".

"Vijojnë reforma të vështira. Procesi i reformave patjetër duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të përfshijë pikëpamjet e partive opozitare dhe shoqërisë civile. Shtetet e Bashkuara nuk do të mbështesin qasjet që nuk respektojnë këto parime”, thuhen në reagimin e ambasadës amerikane.

Kryetari Kuvendit, Trajko Veljanovski ka thirrur për të mërkurën, seancën e jashtëzakonshme, në të cilët pritet të vendoset për anulimin e datës së zgjedhjeve të caktuara për 5 qershor.

Ndërkohë, BDI ka paraqitur një nismë për ndryshimin e kodit zgjedhor që parasheh anulimin e datës së zgjedhjeve, por pa kërkuar një datë të re për mbajtjen e tyre.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë për pezullimin e vendimit për shpërbërjen e Kuvendit, shpalljen e zgjedhjeve më 5 qershor, si dhe të gjitha vendimet tjera të miratuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski ka thirrur seancë të jashtëzakonshme në të cilët pritet të vendoset për anulimin e datës së zgjedhjeve të caktuara për në 5 qershor.

“Dua të shpreh bindjen time se zhvillimi i mëtejmë i proceseve demokratike në Maqedoni më së miri mund të realizohet në Kuvendin e Maqedonisë andaj ftoj të gjithë deputetët që pavarësisht përcaktimit politik të marr pjesë aktive në punimet e Kuvendit”, thuhet në njoftimin me shkrim të kryeparlamentarit Veljanovski.

Sipas informacioneve nga Kuvendi, BDI-ja ka paraqitur një nismë për ndryshimin e kodit zgjedhor që parasheh anulimin e datës së zgjedhjeve, por pa kërkuar një datë të re për mbajtjen e tyre.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese vendimin për pezullimin e zgjedhjeve e kishte arsyetuar me siç thuhet "ndjeshmërinë e situatës në të cilën ndodhet Maqedonia", ndërsa ka pasuar një nismë të Bashkimit Demokratik për Integrim për vlerësimin e kushtetutshmërisë së aktit të shpërbërjes së Kuvendit, më 18 janar, të miratuar nga VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja.

Vendimi i atëhershëm i shumicës parlamentare kishte të bënte me shpërndarjen e Kuvendit, por që do të hynte në fuqi më 23 shkurt. Pikërisht pika e cila parasheh hyrjen në fuqi të vendimit më shumë se një muaj pas miratimit të aktit, vlerësohet si kundër kushtetues, por vendimi përfundimtar nëse do të hidhet poshtë një vendim i tillë i Kuvendit, do të merret të mërkurën e ardhshme.

Nisma e Bashkimit Demokratik për Integrim ka pasuar vendimin e VMRO-DPMNE-së, së Nikolla Gruevkit që e vetme të shkojë në zgjedhjet e 5 qershorit. Kjo parti tani më kishte paraqitur listën e kandidatëve për deputet, që ishte miratuara edhe nga KSHZ-ja, ndërsa kishte nisur edhe fushatën në terren.

Opozita maqedonase e udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, e Zoran Zaevit dhe dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH kishin vendosur bojkotin e zgjedhjeve për shkak të mos përmbushjes së kritereve të parapara me marrëveshjen politike të vitit të kaluar.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mundëson rikthimin e Kuvnedit si hap të parë për zgjidhjen e krizës së rëndë politike.

“Ftoj të gjithë liderët, mediat si dhe shoqërinë civile që të veprojnë me përgjegjësi të plotë përballë gjendjes në të cilën gjindet vendi dhe të kontribuojnë për rikthimin e sigurisë, stabilitetit si dhe të përkushtohemi fuqishëm për një agjendë serioze reformuese”, ka shkruar kreu i BDI-së, Ahmeti në rrjetin social Facebook.

Nga Lidhja Social Demokrate thonë se vendimi i gjykatës krijon një përshtypje se gjoja po hapen dyert për zgjidhjen e krizës. Sipas LSDM-së, vendimi i gjykatës edhe njëherë konfirmon se “vendimet e gjykatës i shkruan lideri i VMRO DPMNE-së, Nikolla Gruevski”.

Opozita ka përsëritur kërkesën kryesore të saj për anulimin e vendimit të presidentit për faljen e zyrtarëve të inkriminuar, shtyrjen e zgjedhjeve dhe caktimin e tyre vetëm pasi të jetë përmbushur kriteret për zgjedhje të lira dhe demokratike.

REL