Thaçi, ndryshime në Kodin Penal për ‘dekriminalizimin’ e skenës politike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka paralajmëruar se do të inicioj hartimin e një kodi me të cilin nuk do të lejohet që njerëzit e dënuar të jenë pjesë e skenës politike dhe institucionale. Më herët, Thaçi kishte paralajmëruar se njerëz që janë nën hetime nuk do të mund të përfshihen as në listat zgjedhore.

Për ta bërë këtë, presidenti Thaçi ka thënë se ka iniciuar edhe ndryshimin e Kodit Penal, sepse janë vërejtur disa boshllëqe në sistemin prokurorial, gjyqësor apo të qendrave korrektuese dhe se vendi mbetet i përkushtuar për reformën elektorale.

Komentet e tij, Thaçi i ka bërë gjatë takimit me delegacionin e deputetëve të Parlamentit Evropian të cilët do të qëndrojnë në Kosovë për të diskutuar për marrëveshjen e stabilizim-asocimit.

Në këtë takim, Thaçi është zotuar para eurodeputetëve se Kosova shumë shpejt do të themeloj edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe si dhe do të përmbyllë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.