Të mërkurën në mesnatë mbyllet afati për dorëzimin e listave me kandidatët për deputet, por zgjedhjet vështirë se do të mbahen bazuar në vendimet e partive politike.
Përveç, VMRO-së së Nikolla Gruevskit, asnjë parti tjetër politike nuk është shprehur e gatshme për të marrë pjesë në zgjedhje pa plotësimin e kushteve.
Por, vendimi përfundimtar nëse do të ketë ose jo zgjedhje më 5 qershor pritet të mësohet gjatë ditës së nesërme kur edhe KSHZ-ja do të dalë më të dhëna nëse janë paraqitur ose jo lista për pjesëmarrjen në zgjedhje
Të mërkurën në mesnatë skadon afati për dorëzimin e listave me kandidatët për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të caktuara për në 5 qershor, por deri më tani përveç VMRO DPMNE-së, asnjë nga partitë tjera politike nuk është deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhje.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se nuk do të dorëzojë listat me kandidatë, ndërsa një gjë të tillë e kanë bërë të ditur edhe nga Partia Demokratike Shqiptare.
Dy partitë shqiptare, thonë se nuk shkojnë në zgjedhje nëse ato nuk janë gjithëpërfshirëse dhe nëse nuk krijohet një mjedis për zgjedhje të pranueshme nga bashkësia ndërkombëtare.
Paraprakisht, bojkotin e zgjedhjeve e kanë kumtuar edhe partitë opozitare maqedonase të udhëhequra nga Lidhja Social-Demokrate. Megjithëse ka paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhje VMRO DPMNE-ja deri më tani nuk kanë dorëzuar listat me kandidatë.
Nëse këtë nuk e bënë edhe VMRO-ja, atëherë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mund të informoj Kuvendin se zgjedhjet nuk mund të mbahen për shkak të mosparaqitjes së asnjë subjekti politik për pjesëmarrje në to.
“Unë vlerësoj se Kuvendi mund të thirret në çdo kohë. Zgjidhja është kjo, së paku pesë anëtarë të KSHZ-së, mundet edhe më shumë, të informojnë Kuvendin se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Në këtë rast, Kuvendi cakton seancë të re në të cilën do të miratoheshin zgjidhje të reja për situatën e krijuar”, ka deklaruar lideri i opozitës, Zoran Zaev.
Edhe njohësit e çështjeve juridike, thonë se Kuvendi mund të thirret në çdo kohë, pavarësisht vendimit për shpërndarjen e tij.
“Kuvendi mund të thirret edhe pse është shpërndarë, pasi mandati i deputetëve vazhdon deri në verifikimin e mandatit të deputetëve të rinj. Pra, mandati i tyre nuk ka përfunduar, por është ndërprerë andaj edhe mund të thirret seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit”, thotë Temelko Ristevski, njohës i çështjeve juridike.
Në lojë, sipas ekspertëve, mund të jenë edhe skenarë të tjerë për të dështuar zgjedhjet, përfshirë edhe dorëheqjen e anëtarëve të partive tjera nga KSHZ-së, e cila në një rast të tillë, nuk do të mund të verifikonte listën e kandidatë të VMRO-së, nëse kjo vendos të dorëzoj listën brenda afatit ligjor.
Nga Lidhja Social-Demokrate e opozitës kanë bërë të ditur se zgjedhje nuk mund të ketë pa plotësimin e kushteve, ku ndër më kryesori është anulimi i vendimit të presidentit për faljen e zyrtarëve, pastrimi i listës zgjedhore, reformat në media, e kritere tjera që kërkohen edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
“Më 5 qershor zgjedhje nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë. VMRO-ja mund të paraqes listat me kandidatë, por zgjedhje nuk do të ketë, jo për shkak të Zaevit, apo dikujt tjetër, por për shkak të qytetarëve dhe argumenteve të shumta se zgjedhje nuk mund të ketë pa plotësimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike”, ka deklaruar Zaev.
Kriza në Maqedoni është ndërlikuar në veçanti pas vendimit të presidentit për faljen e mbi 50 zyrtarëve që po hetoheshin nga prokuroria speciale për vepra të rënda penale. Paraprakisht, opozita kërkoi pastrimin e listës zgjedhore dhe reformat në media.
Pas një pune të gjatë, KSHZ-ja pa praninë e anëtarëve të opozitës ka arritur të rrumbullakoj listën zgjedhore, por ajo tani është rritur për më shumë se 100 mijë persona dhe numëron më shumë se 1.9 milion votues.
Vlerësimet e mëparshme të opozitës dhe ekspertëve ishin se numri i votuesve është shumë më i vogël, por lista është rritur pasi KSHZ-ja ka përfshirë në të, të gjithë ata që kanë shtetësi të Maqedonisë, pavarësisht nëse jetojnë ose jo brenda territorit të saj.
Për të ndihmuar në kapërcimin e krizës politike, Gjermania ka caktuar një të dërguar të posaçëm, diplomatin, Johanes Hajndëll, i cili, të enjten, pritet të arrijë në Maqedoni, ku së bashku me ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së, Aivo Orav dhe Jess Baily, do të tentojnë arritjen e një marrëveshje të re mes partive politike. Diplomatët perëndimorë kanë tërhequr vërejtjen se kriza duhet të zgjidhet sa më parë pasi çdo shtyrje e mëtejme do të ketë pasoja për vendin.