Britania do të sistemojë fëmijët refugjatë sirianë të pashoqëruar

Your browser doesn’t support HTML5

"Zëri i Amerikës"

Disa muaj para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore po shtohej edhe përndjekja e çifutëve nga nazistët. Përderisa familjet çifute po iknin nga shtëpitë e tyre, Britania e Madhe pranoi afërsisht 10,000 fëmijë të pashoqëruar, nga e gjithë Evropa, një operacion i njohur si “Transportimi i Fëmijëve”.

Eric Reich ishte njëri prej tyre. Ai i kishte vetëm 4 vjet kur prindërit e dërguan atë dhe dy vëllezërit e tij në një vend më të sigurt; në një vend të panjohur për ta.

“Më duhet të them se fakti që prindërit e mi lejuan që tre djemë e tyre, 11, 10 dhe 4 vjeçtë largoheshin, është diçka shumë e madhe; unë nuk do të mund të bëja diçka të tillë, por ata e bënë. Dhe është fakt se unë tani jam këtu, 81 vite më vonë…nuk është keq, apo jo”, thotë Reich.

Reich nuk do t’i shihte më kurrë prindërit e tij. Të dhënat tregojnë se i ati i tij ishte dërguar në një kamp përqëndrimi në Auschwitz, ndërsa asgjë nuk dihet për fatin e nënës së tij.

Reich ishte sistemuar me një familje refugjatësh gjermanë, në afërsi të Londrës.

“Mua mu dha mundësia për të jetuar. Famija që më mori, e që nuk ishte çifute, më mundësuan të edukohem, u kujdesën për mua, dhe në njëfarë mënyre më shpëtuan, sepse në moshën 4 ose 5 vjeçare, nëse nuk e ke dikë që të do, atëherë je në telashe”, thotë Reich.

Tani Reich po e udhëheq një fushatë, e cila ka në plan pranimin e mijëra fëmijëve refugjatë sirianë të pashoqëruar nga e gjithë Evropa, në Britani të Madhe.

“Ata fëmijë po trafikohen, ata po detyrohen të merren me prostitucion, dhe shumë gjëra po u ndodhin atyre pikërisht për faktin se askush nuk po kujdeset për ta. Ata janë fëmijë të pashoqëruar, njësoj sikurse ishim ne dikur”, thotë Reich.

Zyrtarët e BE-së thonë se 10,000 fëmijë refugjatë të vetmuar janë zhdukur gjatë viteve të fundit.

“Kemi parë fëmijë që jetojnë në rrugë, kemi parë fëmijë që kanë rënë pre e trafikuesve dhe kontrabanduesvedhe kemi parë dëshmi të vërteta të abuzimit dhe shfrytëzimit të tyre, sikurse raste të paraqitjes së fëmijëve me sëmundje të transmetuara seksualisht”, thotë Martha MacKenzie nga organizata “Save the Children”.

Fillmisht, qeveria britanike kishte refuzuar pranimin e një numri shtesë të fëmijëve refugjatë, duke u arsyetuar se kjo mund të nxiste edhe mijëra të tjerë për ta bërë udhëtimin e rrezikshëm drejt Evropës.

Por, këtë javë pati sinjale për ndryshim politikash, edhe pse ende është duke u punuar në drejtim të numrit të fëmijëve që do të pranohen. Eric Reich thotë se kujdesja ndaj tyre nuk është vetëm përgjegjësi e Britanisë së Madhe.

“Një numër i madh i popullësisë, edhe atëherë madje, nuk ishin shumë të kënaqur me ardhjen e fëmijëve refugjatë. E njejta është këtu. Mendoj se bota duhet ta shikojë këtë problem e të thotë se këta njerëz po kërkojnë shpëtim”, thotë Reich.

“Transportimi i Fëmijëve” i ofroi Reich-it një jetë të re, në vitin 1939. 77 vite më vonë, ai thotë se është koha që Britania dhe bota të tregojnë dhembshurinë e njejtë me njerëzit më të rrezikuar, që poi kin nga lufta.

*Ky material fillimisht u transmetua në VOA News