Mungesa e liberalizimit të vizave ka cënuar një prej të drejtave elementare të njeriut, siç është lëvizja e lirë, janë shprehur vazhdimisht të rinjtë e Kosovës.
Përfaqësuesit e institucioneve dhe qytetarët kosovarë më 4 maj kanë mirëpritur propozimin e Komisionit Evropian drejtuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Me këtë propozim, Kosova do të vendoset në listën e vendeve që presin të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.
Përveç përfitimeve që qytetarët e Kosovës do t'i kenë në lëvizjen e lirë, ata që i janë gëzuar më së shumti këtij lajmi duket të jenë studentët.
Për rubrikën e përjavshme VOX të Radios Evropa e Lirë, të rinjtë japin mendimet e tyre lidhur me rëndësinë e liberalizimit të vizave, dhe sa do t’u ofrojë lehtësira lëvizja e lirë në aspektin e shkollimit në Shtetet e Bashkimit Evropian.
Your browser doesn’t support HTML5
Venera Kabashi, studion në Fakulteti Ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Ajo thotë se liberalizimi është një mundësi e mirë, sidomos për studentët.
“Liberalizimi i vizave është një mundësi e mirë për neve, pasi që na hap dyert për shkollim të mëtutjeshëm. Të shkojmë vetë në universitetet përkatëse ,t’i shohim nga afër dhe të shkëmbejmë përvojat”, thotë Kabashi.
Por, Shkumbin Bahtiri, student i vitit të tretë në degën e Psikologjisë, mendon se kushtet ekonomike nuk do ta lejojnë që ai të studiojë jashtë vendit. Megjithatë, ai shpreson që do ta fitojë ndonjë bursë, dhe sigurisht se liberalizimi i vizave do të jetë i mirëseardhur.
“Liberalizimi i vizave mendoj se është për shtresat e pasura. Unë e kam mendur idenë që të shkollohem jashtë , por përmes përfitimit të bursave, pasi nuk kam mundësi të paguajë shkollimin jashtë. Për pjesën më të madhe të popullatës nuk e besoj se ka ndonjë përfitim, ndërsa për shtresat më të pasura, po, ka përfitim”, thotë Bahtiri.
Një tjetër studente, e cila studion në degën Biologji-kimi , Ganimete Kelmendi, thotë se me liberalizimin e vizave do të bëhet një hap pozitiv për Kosovën.
“Mendoj se ka me sjellë sukses, sidomos për studentët, pasi që mund të dalin jashtë Kosovës dhe të përfitojnë sa i përket shkollimit, sidomos ata që do të mund të përfitojnë bursa”, thotë Kelmendi.
Drita Halimi, e diplomuar në Fakultetin Ekonomik, mendon që studimet post-diplomike tii vazhdojë në Austri.
“Deri tash nuk jam interesuar që të dal jashtë vendit. Por, me liberalzimin e vizave besoj që do të interesohem për studime post-diplomatike në Austri. Tendencat e mia kanë qenë që të studioj në Amerikë, por jam refuzuar nga ambasada”, ka shpjeguar Halimi.
Kaltrina Tosuni, është studente e Fakultetit të Ndërtimtarisë. Ajo thotë se mundësitë për studentët kosovarë do të hapen me heqjen e vizave dhe nga afër do të shkëmbehen përvojat mes studentëve të Kosovës dhe atyre evropianë.
“Mendoj që tashmë për të rinjtë janë hapur dyert drejt Evropës, me liberalizimin e vizave, sidomos për studimet Master. Deri më tani kemi pasur mundësi vetëm përmes internetit me e ditë se çka ofrojnë universitetet evropiane, ndërsa tash kemi mundësi që të shkojmë dhe për së afërmi të kuptojmë se çka saktësisht dëshirojmë”, thotë Tosuni.
Derisa, Krenare Elezi, studente e Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se ka ndëgjuar shumë raste kur studentëve, në mungesë vizash, u ka humbur rasti që të studiojnë jashtë Kosovës.
“Liberalizimi i vizave do t’i hap dyert për të rinjtë, sidomos për shkollim. Unë kam pasur shumë raste kur studentët kanë dashur të studiojnë jashtë, por ua ka pamundësuar këtë gjë marrja e vizave, për shkak të procedurave”, ka thënë Elezi.
Zana Sahiti, studente e fakultetit të Veterinarisë, ka një mendim më ndryshe. Ajo thotë se për të studiuar jashtë nevojitet edhe njohuria e gjuhës së atij vendi, si dhe kualifikimi përkatës.
“Nuk mendoj se vetëm liberalizimi do t’ua mundësojë të rinjëve daljen jashtë vendit, sidomos të studiojnë. Pa e ditur gjuhën e shtetit ku shkon është e vështirë, pastaj edhe kushtet ekonomike janë paksa të kufizuara, e që e vështirësojnë shkollimin jashtë vendit”, mendon Sahiti.
Sidoqoftë, edhe vet presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave dhe nuk do të ketë më refuzime për kosovarët.
“Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal”, është shprehur zoti Thaçi, përmes një postimi në Facebook.