Një stadium i ri futbolli në Prishtinë pas pranimit në UEFA

Ilustrim

Pas pranimit të Kosovës në Federatën Evropiane të Futbollit – UEFA, në Prishtinë do të ndërtohet edhe një stadium i ri, ka thënë presidenti Hashim Thaçi.

Këtë premtim, ai ia ka dhënë kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

“Në këtë mënyrë do të krijohen kushte evropiane për talentët kosovarë”, ka thënë Thaçi gjatë takimit me Vokrrin.

Sipas presidentit, ndërtimi i një stadiumi është interes nacional dhe për këtë tashmë ekziston një mbështetje dhe konsensus politik dhe mbarëshoqëror.

“Duhet filluar me ndërtimin e stadiumit të ri; edhe nga ana ime, kjo përkrahje do të rritet çdo ditë e më shumë. E di se ekziston një konsensus i plotë i të gjithëve në Kosovë për ndërtimin e këtij stadiumi”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në emër të bashkëpunëtorëve, të të gjitha klubeve, futbollistëve, gjyqtarëve, personelit teknik dhe administratës, ka falënderuar presidentin Thaçi për mbështetjen që i ka dhënë FFK-së në procesin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA.