Merkel: Evropa rrezikon të bie pre e nacionalizmit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka paralajmëruar se Evropa rrezikon të bie pre e nacionalizmit duke mbyllur kufijtë, si mënyrë për zgjidhjen e krizës me migrantë.

Austria ka thënë se do të mbyllë kalimin kryesor kufitar me Italinë, Brenner, nëse është e nevojshme për të ndaluar rrjedhën e migrantëve.

Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, pasi ka biseduar me kancelaren Merkel në Romë, ka thënë se strategjia e Austrisë është “gabim” dhe “e pajustifikueshme”.

Merkel u ka thënë gazetarëve se kriza me migrantë duhet të zgjidhet jo me mbyllje të kufijve.

“Nuk mund t’i mbyllim kufijtë. Duhet të jemi besnikë ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë Merkel.

Sipas saj, vendet e Bashkimit Evropian duhet të mbrojnë marrëveshjen e Schengenit për lëvizje të lirë ose, në të kundërtën, “rrezikojnë të rrëshqasin në nacionalizëm”.

Evropa po përballet me krizën më të rëndë me migrantë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Mbi një miliona veta, kryesisht të ikur nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme, kanë arritur në vendet e BE-së vitin e kaluar.