AGK: Gjendja e lirisë së shtypit në Kosovë po përkeqësohet

Gazetarët kosovarë, gjatë një proteste më 22 mars 2016

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, ka shprehur shqetësimin për keqësimin e gjendjes së lirisë së shtypit në Kosovë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, AGK rikujton se të bërit gazetari në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e vështirë, pasi gazetarët po përballen me presion të shtuar dhe ngushtim të hapësirës së veprimit të lirë.

Përmes një komunikate për media theksohet se vetëm gjatë viteve 2014 dhe 2015 në AGK janë raportuar 27,respektivisht 24 raste të sulmeve, kërcënimeve, presioneve, fyerjeve dhe pengimit në punë të gazetarëve, që tregon për rritje të numrit krahasuar me rastet e raportuara në vitet paraprake, ku kanë qenë 15 deri 18 raste.

AGK rikujton se përveç sulmeve kërcënimeve dhe presionit të jashtëm nga politika, grupet e interesit dhe institucioneve të tjera, gazetarët janë të privuar nga të drejtat elementare të punës.

“Sipas statistikave, nga rreth 400 anëtarët e AGK-së, 30 për qind e kolegëve gazetarë punojnë në medie pa kontrata pune dhe paguhen jo dinjitetshëm për punën që bëjnë”, thuhet në komunikatë.

Bazuar në raportet ndërkombëtare për lirinë e medies, Kosova vazhdon të mbetet një shtet gjysmë i lirë, me liri të pjesshme të të shprehurit, dhe ambient të pa favorshëm për ushtrimin e profesionit të gazetarisë.

Duke marrë parasysh këtë gjendje, AGK kërkon nga institucionet e Kosovës që t’i zbatojnë mekanizmat ligjorë për mbrojtjen e gazetarëve dhe krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin e lirisë së shprehjes, si një ndër elementet fundamentale të demokracisë.

“AGK konsideron se mungesa e zbatimit të ligjit dhe mosfunksionimi i institucioneve të drejtësisë ka inkurajuar të pakënaqurit me punën e gazetarëve që ta marrin drejtësinë në duar”, vijon komunikata.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës zotohet se të vazhdojë angazhimin maksimal në mbrojtjen e të drejtave të garantuara të gazetarëve dhe krijimin e hapësirës që mediat në Kosovë të jenë të lira dhe të pavarura në punën e tyre.