Dorëzohet Azem Syla

Foto nga aksioni policor

Deputeti Azem Syla është dorëzuar te Policia e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, avokati i tij, Tomë Gashi. Në bazë të kërkesës së Prokurorisë, Syla i dorëzohet gjykatës për procedurat e mëtutjeshme.

“Zotëri Azem Syla, tashmë është kthyer në Kosovë dhe presim që shumë shpejt t'i drejtohemi bashkërisht organeve të drejtësisë”, ka thënë avokati Gashi.

“Ne ende nuk e dimë se a do t'i lajmërohemi prokurorit apo gjyqtarit, apo si qëndron puna juridikisht. Por, përfundimisht ai është në Kosovë dhe presim që të vazhdojnë procedurat penale sipas rrjedhave normale”, ka thënë Gashi.

Prokuroria ka shpjeguar se hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ish komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publik", thuhej në komunikatën e Prokurorisë.