Vetëm gjatë këtij viti në Kosovë, sipas të dhënave të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, kanë humbur jetën tre persona në vendin e tyre të punës.
Përderisa në vitin 2015, sipas të dhënave zyrtare të institucioneve të Kosovës, kanë humbur jetën nëntë punëtorë dhe 45 janë lënduar, si pasojë e kushteve jo të mira të punës.
Personat të cilët kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, kanë punuar kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.
Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Inspektoratin e Punës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se statistikat e viteve paraprake lidhur me humbjen e jetës së punëtorëve në vendin e tyre të punës janë afërsisht të njëjta me disa përmirësime ende jo të kënaqshme.
“Në vitin 2014 ka qenë përafërsisht statistikë e njëjtë me vitin 2015. Derisa në vitin 2013 dhe atë 2012, kanë qenë 17 persona të vdekur në vendin e punës. Nëse krahasohen statistikat ndër vite, gjendja vitet e fundit është në përmirësim e sipër, por që ne megjithatë nuk jemi të kënaqur me këtë gjendje çfarë është”, ka thënë Ibrahimi.
Kuvendi i Kosovës në vitin 2011 ka miratuar Ligjin e Punës. Sipas këtij ligji, i punësuari ka të drejtë në sigurinë në punë, në mbrojtje të shëndetit dhe në ambientin e përshtatshëm të punës.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, (BSPK), thotë se punëtorët në sektorin privat janë të rrezikuar në vendin e tyre të punës për shkak të kushteve jo të mira të punës. Ai gjithashtu ka shtuar se rreth 80 për qind e kompanive private nuk i përmbushin kriteret ligjore që kanë të bëjnë me Ligjin e Punës.
“Kompanitë dhe pronarët e tyre as 20 për qind nuk e respektojnë ligjin, duke u nisur nga gjërat elementare, si kontrata e punës. Në përgjithësi Ligji i punës nuk zbatohet. Kemi ankesa të përditshme nga punëmarrësi dhe atë të natyrave të ndryshme dhe më ekstreme".
"Në ndërtimtari është sektori më i zakontë që punëtorët humbin punën. Institucionet nuk po e kryejnë punën e tyre si duhet. Mund të them se punëtorët në sektorin privat trajtohen si skllevër dhe askush nuk paguan kompensim, pasi që dikush duhet të përgjigjet për humbjen e jetës së personit në vendin e punës”, ka thënë Azemi.
Përveç Sindikatës së Punëtorëve, parregullsitë në këtë sektor i tregojnë edhe vetë punëtorët.
Azemi (emër i njohur për redaksinë), i cili punon në një kompani private, tregon për shkeljet e të drejtave si punëtorë, që atij I bëhen.
“Kontrata kolektive, pikat që janë të përfshira nuk përfshihen fare. Ato katër pika, shujta, nuk zbatohet, transporti I punëtorëve, nuk paguhet, 0.5 për qindëshi, nuk paguhet si dhe puna e pushimit vjetor, nuk trajtohen në mënyrë të barabartë për të gjithë punëtorët. Gjithashtu te çështja e pagave bëhet shkelje, vonesa të shumta", ka thënë Azemi.
Ndërkaq, Basri Ibrahimi thotë se ndonëse situata nuk është e lakmueshme sa i përket kushteve të punës, ai deklaron se problematika në fjalë është në përmirësim e sipër, duke u nisur nga fakti që çdo vit ka ulje të numrit të punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës.
“Unë besoj që kanë ndikuar shumë faktorë në uljen e numrit të të vdekurve në vendin e punës ndër vite. Në radhë të parë besoj se duhet të bëhet ngritja e vetëdijes së punëdhënësve që të krijojnë kushte më të mira për punëtorët, por edhe inspektorati i punës me punën në teren, qoftë me fushata. Ne jemi të interesuar që të arrijmë numrin zero të vdekjes së punëtorëve”, ka thënë Ibrahimi.
Sidoqoftë në sektorin publik, mbi 81 mijë është numri i të punësuarve, paga mesatare e të cilëve është nga 300 deri në 400 euro në muaj.
Ndërkaq, sektori privat në Kosovë është punëdhënësi më i madh. Sipas statistikave zyrtare, thuhet se në këtë sektor janë të punësuar mbi 220 mijë punëtorë, paga mesatare e të cilëve sillet nga 250 deri në 300 euro.