Në raportin për vitin 2015 të organizatës për të drejtat e njeriut, “Freedom House”, Maqedonia nga vendi “pjesërisht i lirë”, ka kaluar në vendin e 136-të, apo në grupin e vendeve të cilësuara si “aspak të lira”, ku bën pjesë Rusia, Turqia dhe vende tjera aziatike dhe afrikane.
Rënien më të madhe në lirinë e shtypit, njohësit e çështjeve mediatike e vlerësojnë si reale duke marrë parasysh zhvillimet e vitit të kaluar kur në Maqedoni u regjistruan presionet, por edhe sulmet më të mëdha ndaj gazetarëve, një prej të cilëve, Tomisllav Kezharovski, u dënua me dy vjet burg ndërsa shumë media tjera përjetuan presione nga më të ndryshmet për ndryshimin e politikave të tyre redaktuese në favor të politikave të pushtetit.
“Kur kjo ndodhë një një botë të lirë është e qartë se pushteti dhe institucionet dëshirojnë t'ia mbyllin gojën gazetarëve, t'i frikësojnë që të heqin dorë nga shkrimet që kanë për qëllim zbulimin e krimeve të bëra nga pushteti”, thotë Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve, Naser Selmani.
Nga ana tjetër, Zhaneta Trajkovska, drejtoreshë e shkollës së lartë të gazetarisë, thotë se kur kemi drejtësi selektive, liri të kufizuar dhe media të korruptura, është normale që vendi të ketë rënie të madhe në lirinë e shtypit. Ajo thotë se një raporti i tillë pritej duke marrë pararsysh raportin paraprak që gjithashtu fliste për demokraci të kufizuar dhe shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut.
“Ky raport reflekton gjendjen në të cilën ndodhen mediat në vend, ku kemi media në të cilat lajmet redaktohen jashtë zyreve të tyre, përkatësisht në qendrat politike të vendosjes. Pra, raporti nxjerr në pah realitetin e hidhur se partitë janë ato që bëjnë lajmet e mediave. Ne këtu nuk kemi pluralizëm të mendimit, apo kemi pluralizëm virtual të proklamuar në mënyrë të rrjeshme, por që nuk mund të fshihet nga ata që vlerësojnë lirinë e shprehjes në çdo vend”, thotë Trajkoska.
Ndryshe, çështja e mediave është edhe një nga pikat kryesore të debatit mes partive të cilat nuk kanë arritur asnjë zgjidhje për heqjen e ndikimit ndaj tyre edhe pse ato kanë nënshkruar marrëveshje me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Partitë në pushtet kishin refuzuar një propozim të diplomatit belg, Piter Vanhojte, i cili kishte ofruar një zgjidhje për emërimin e ekspertëve të krye të agjencisë së mediave, transformimin e transmetuesit publik, uljen e gjobave dhe çështje tjera më të cilat synohej heqja e ndikimit të partive mbi mediat.
Presionet ndaj mediave dolën në sipërfaqe me atë që njihet si aferë e përgjimeve të publikuar nga opozita vitin e kaluar, ku nga bisedat e përgjuara të zyrtarëve degjoheshin plane dhe urdhëra në adresë të mediave të kontrolluara prej tyre se si të raportojnë për çështje të caktuara në interesin e tyre.
Përveç nga organizata “Freedom House”, Maqedonia vlerësime negative ka marrë edhe nga të gjitha raportet e organizatave tjera ndërkombëtare. Në Indeksin e publikuar të lirisë së mediave nga "Reporterët pa Kufij", Maqedonia ishte renditur e 118-ta, një vend më poshtë nga viti i kaluar.