Prokuroria e Shtetit e Republikës së Kosovës ka sqaruar se policia e EULEX-it në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka kryer një operacion kërkimi dhe arrestimi në kuadër të një hetimi penal, duke e zbatuar urdhërin e një gjyqtari të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Në një komunikatë për media, Prokuroria ka shpjeguar se hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit ish komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
"Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publik".
"Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe të Kosovës, autorizimi i të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal", thuhet në komunkatë.
Aty theksohet se rreth 350 policë kanë bastisur rreth 42 lokacione, që lidhen me 40 të dyshuar të një hetimi penal që është duke vazhduar. Gjatë operacionit gjashtë persona janë arrestuar dhe të njëjtit do të dalin para gjykatës.
Pos tjerash, në komunikatë thuhet se "një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës të përfshira, janë sekuestruar përkohësisht me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës më 26 prill 2016".
"Në radhë të parë, ky proces ka për qëllim ta rikthejë tokën në pronësi të pronarëve të ligjshëm publik".
"Rasti përfshinë veprat penale të krimit të organizuar; Pastrim parash, keqpërdorim i pozitës zyrtare, falsifikim i dokumenteve zyrtare, dhënie e marrje e ryshfetit", thuhet në komunikatë.
Me këtë rast, sipas njoftimit, disa të pandehur në hetim janë qytetarë serbë, që jetojnë në Serbi dhe gjatë hetimit thuhet se ka pasur bashkëpunim efektiv me Zyrën e Lartë të Prokurorit për Krim të Organizuar në Beograd.
Urdhëri për arrest në lidhje me disa të pandehur nuk është ekzekutuar, pasi që këta të pandehur janë arratisur ose janë jashtë vendit.
"Udhëheqësi i grupit, Azem Syla, deputet i Parlamentit, është në arrati në këtë moment. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës gjatë dhjetë ditëve të fundit për ta përcaktuar vendndodhjen e Azem Sylës, ai nuk është gjetur dhe i ka ikur administratës", është sqaruar në komunikatë.
Zëdhënësja e EULEX, Besa Domi, më herët kishte thënë për Radion Evropa e Lirë se aksioni i policisë është në proces të ndalimit të disa personave dhe bastisjen e disa zyrave dhe shtëpive ne vende të ndryshme në Kosovë.
"Është aksion i bastisjeve dhe arrestimeve", tha Domi.
Veç deputetit Syla, policia po kërkon edhe persona të tjerë.
Në mesin e të ndaluarve është edhe ish kryetari i Gjykatës Komunale, Nuhi Uka i cili është parë duke u ndaluar dhe duke hyrë në Pallatin e Drejtësisë, i shoqëruar nga policia.
Policia e EUELX-it dhe hetuesit një kohë të gjatë kanë qëndruar në zyrën e avokaturës së Nuhi Ukës ku kanë marrë një pako me dokumente.
Your browser doesn’t support HTML5
Edhe zyra e avokati Mexhid Syla është bastisur nga policia. Avokati Syla në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë tha se policia ka bastisur zyrën e tij. Ai ka thënë se policia nuk ka marrë asgjë nga zyra e tij dhe se ai nuk është shoqëruar në polici.
"Po i referohem një urdhëri për bastisje. Në vitin 2014 ishte marrë një vendim për zhvillimin e hetimeve. E tash pas dy viteve është urdhëruar bastisja pak është absurde, pa u prezentuar asnjë provë dhe pa u marrë në pyetje. Ka një dyshim dhe po thonë se kam ndihmuar një rast që ka të bëjë me bartjen e pronës në emër të familjes Steviq. Nuk e di as kush është familja Steviq e as kush është ky person. Unë po supozoj se ka të bëjë me ndonjë autorizim që dikush ka mundur të keqpërdorë", tha Syla.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbështetur aksionin e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Lidhur me bastisjet e sotme nga autoritetet e rendit, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar se të gjithë emrat që janë përfshirë në rastet gjyqësore t'i ofrojnë bashkëpunim të plotë policisë dhe prokurorisë.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është çelësi i ndërtimit të shtetit demokratik e të drejtë, çelësi i të ardhmes tonë evropiane. Pres nga të gjithë ata që janë të përfshirë në rastet gjyqësore që t’i ofrojnë bashkëpunim të plotë policisë dhe prokurorisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u ka dhënë mbështetje autoriteteve të rendit lidhur me aksionin për bastisje dhe arrestime.
Veseli ka thënë se para ligjit të gjithë janë të barabartë dhe se gjykatësit e prokurorët duhet ta bëjnë punën e tyre.
"Ne jemi përcaktuar për shtet ligjor. Prokuroria dhe gjyqësia ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe në të njejtën kohë të presim epilogun e vendimeve të tyre. Sido që të jetë, të gjithë do të jemi të barabartë para ligjit", ka thënë Veseli pasi ka bërë nderime pranë përmendores dedikuar personave të pagjetur në ditën që i dedikohet të pagjeturve.
Kurse, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka shkruar në rrjetin social Facebook se "ka më shumë se dy vite që flasim për atë që ka ndodhur në komunën e Prishtinës, prej ndërtimeve pa leje e deri te tjetërsimet e pronave komunale. Kemi thënë që shifrat janë marramendëse. Kemi deponuar kallëzime penale e kemi kërkuar hetime urgjente".
Ai ka shtuar se krimi i organizuar ka qenë i thellë dhe gjithëpërfshirës.
"Këto bastisje që po ndodhin sot tashmë kanë prekur edhe ish drejtuesit në Komunë e ndërmarrje publike të Prishtinës. Sabedin Haxhiu ka qenë edhe drejtor në kadastër edhe drejtor i Ndërmarrjes Publike Banesore. Besoj se po bëhet dita ditës me e qartë se pse gjithë ajo zhurmë në Kuvendin Komunal. Po ashtu, po bëhet më e qartë se pse nuk duhet të lejojmë kthimin e ndërmarrjeve publike komunale në duar të krimit. Ne nuk do të ndalemi në këtë luftë kundër krimit, korrupcionit dhe të këqijave në vendin tonë", është shprehur Ahmeti.
Aksioni i policisë ka nisur të mërkurën në mëngjes.