Serwer: Serbia nuk anëtarësohet në BE pa njohje të Kosovës

Daniel Serwer

Eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, thotë se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian nuk është i mundur derisa nuk zgjidhen të gjitha çështjet serioze.

“Kjo nënkupton njohjen diplomatike të Kosovës dhe shkëmbimin e ambasadorëve. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, nuk e di se si Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së”, thotë Serwer, profesor në Universitetin John Hopkins, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Duke komentuar zgjedhjet parlamentare në Serbi, Serwer thotë se kryeministri në pushtet, Aleksandar Vuçiq, ka fituar mbështetje të madhe për shkak të politikës së tij pro-evropiane, e cila ka qenë tema kryesore e fushatës së tij.

Por, Serwer po ashtu kujton se Vuçiq ka qenë nacionalist ekstrem në të kaluarën dhe se tani është përcaktuar kah e ardhmja evropiane.

“Shumë pyeten se përse Perëndimi është aq dashamirës ndaj Vuçiqit? Përgjigjja është e thjeshtë. Sekreti i diplomacisë është të bindni palën tjetër të bëjë atë që ju dëshironi. Dhe, Vuçiq po bën me sukses shumëçka që do BE-ja nga ai”, thotë Serwer.

Vuçiq ka premtuar se do ta integrojë Serbinë në Bashkimin Evropian, por, në të njëjtën kohë, përpiqet të ruajë edhe lidhjet e thella historike me Rusinë.

Megjithatë, Serwer nuk mendon se Rusia do të mund të luajë rol serioz në rajonin e Ballkanit.

“Një gjë të tillë nuk e ka barë as në vitet 1990, as në fillim të viteve 2000. Andaj, nuk mendoj se mund ta bëjë tani, marrë parasysh se do të përballet me vështirësi serioze financiare në disa vite të ardhshme”, thotë Serwer.