Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për njohjen reciproke të certifikatave për transportin e mallrave të rrezikshme të njohura me emrin ADR.
Marrëveshja është arritur në kuadër të dialogut në Bruksel, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se kjo marrëveshje paraqet një hap të rëndësishëm për të dyja vendet. Kurse si rezultat, siç ka thënë ajo, erdhi vetëm pasi që Kosova vendosi masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Me marrëveshje, të dyja shtetet janë pajtuar për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, sipas konventës së Kombeve të Bashkuara dhe të standardeve ndërkombëtare për transportin e mallrave të rrezikshme.
“Kjo marrëveshje hyn në fuqi më 25 prill dhe në momentin që hyn në fuqi atëherë edhe ne do t’i heqim masat e reciprocitetit që i kemi vendosur në fund të marsit. Kjo marrëveshje është e rëndësishme sepse është njohje e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë në fushën e transportit të mallrave të rrezikshme”, ka deklaruar Tahiri.
Një çështje tjetër që është ngritur në takimin 18 orësh në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ishte edhe problematika e vizitave të zyrtarëve të shtetit të Serbisë në Kosovë dhe mesazheve që ata përçojnë tek popullata lokale serbe.
Për shkak të fjalorit politik dhe mesazheve që kishte përçuar, qeveria e Kosovës i kishte shqiptuar një masë ndalese për hyrje në Kosovë, drejtorit të zyrës për Kosovën në qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq. Por, ky i fundit nuk e kishte respektuar atë.
Pas bisedimeve të fundit, Tahiri thotë se kjo çështje është tejkaluar vetëm pasi që Gjuriq kishte kërkuar falje për këtë veprim.
“Duke qenë se kishim shkelje nga zyrtarë të Serbisë, përfshirë edhe hyrjen ilegale të zyrtarit Gjuriq në Kosovë, atëherë pasi që ai kërkoi falje për shkeljet që i ka bërë, Bashkimi Evropian kërkoi nga të dyja shtetet që të rikonfirmojnë zotimin tonë që të vazhdojmë zbatimin e marrëveshjes së normalizimit. Po ashtu, Bashkimi Evropian do të dalë me një koncept dokument me të cilin i vendos standardet e fjalorit politik për normalizim”, ka thënë Tahiri.
Gjithashtu, në takimin në Bruksel është biseduar edhe për çështjen e “hyrjeve dhe daljeve në Kosovë me letërnjoftime ilegale” të lëshuara nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, për të cilën tashmë ekziston masa e ndalesës që nga 18 prilli i këtij viti, me vendimin e Qeverisë së Kosovës.
“BE-ja ka kërkuar që të krijohet një hapësirë kohore tranzicioni në mënyrë që edhe ky problem të zgjidhet sa më shpejt, ashtu siç u zgjodh edhe çështja e njohjes reciproke e certifikatave të ADR-së”, ka thënë ministrja Tahiri.
Ndërkaq Drejtori i zyrës për Kosovën i qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq ka deklaruar për mediet serbe se pas 18 orë bisedimesh, Beogradi dhe Prishtina kanë arritur marrëveshje për letërnjoftimet, për kalimin e kamionëve, vizitat e autoriteteve të Serbisë, si dhe për zgjedhjet.
“Letërnjoftimet e Serbisë do të përdoren normalisht, ashtu sikurse edhe deri më tash. Do të thotë, nuk do të ketë bllokim apo çfarëdo pengesash”, ka thënë Gjuriq.
Gjuriq ka shtuar se Brukseli ka anuluar edhe ndalesën e hyrjes së zyrtarëve të Serbisë në Kosovë, si dhe është arritur pajtimi për mënyrën e votimit në zgjedhjet parlamentare të Serbisë me 24 prill.
“Është arritur marrëveshja për mbajtjen e zgjedhjeve sipas modelit të njëjtë me vitin 2014, me praninë e OSBE-së, e cila do të garantojë që në vendvotime gjithçka të jetë në rregull, si dhe të ketë siguri”, ka thënë Gjuriq.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e parë të parimeve të normalizimit të marrëdhënieve me 19 prill të vitit 2013. Nga ajo marrëveshje më pas kanë buruar edhe shumë të tjera.
Por, sipas analistit politik, Belul Beqaj, normalizimi mbetet ende një çështje e largët. Kurse integrimi i serbëve të Kosovës në institucione, sipas tij, lë shumë për të dëshiruar.
“Fakti që edhe pas tri viteve nuk është realizuar minimumi i identifikimit të qytetarëve serbë me shtetin e Kosovës, fakti që ata sot nuk kanë as letërnjoftimet e shtetit të Kosovës, nuk është hap i duhur të normalizimit të raporteve me Serbinë, por është hap që i inkurajon serbët e Kosovës që të identifikohen me shtetin e Serbisë”, ka thënë Beqaj.
Marrëveshjen e fundit në Bruksel e ka konfirmuar edhe Zyra e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Ndërkaq në lidhje me çështjen e letërnjoftimeve të lëshuara nga strukturat paralele serbe, thuhet se palët “janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet”, duke formuar edhe një grup punues për këtë çështje.