Zvogëlohet numri i vdekjeve të shtatëzënave

Ilustrim

Vdekshmëria e nënave shtatëzëna ka qenë një preokupim ndër vite në Kosovë.

Por, kohët e fundit, përgjegjës të sektorit të shëndetësisë, thonë se vdekshmëria është ulur në nivelin minimal.

Madje, sipas tyre, gjatë viteve 2014 - ’15, nuk është shënuar asnjë vdekje, përderisa nuk posedojnë të dhëna për vitin 2016, në të cilin të paktën një rast është nën hetime për shkak të vdekjes së një nëne të re në spitalin regjional të Gjilanit.

Me termet mjekësore, këto vdekje njihen si raste të vdekjeve maternal , që nënkuptojnë vdekje në fillim të shtatëzanisë, gjatë dhe pas lindjes.

Merita Vuthaj, zyrtare për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Ministrinë e Shëndetësisë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë përmes postës elektronike se po punohen në drejtim të ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore, me përmirësim të infrastrukturës dhe me ngritje të kapaciteteve profesionale, përmes trajnimeve.

Sipas saj vlen të përmendet trajnimi për Kujdesin Efektiv Perinatal i cili po zhvillohet nga viti 2011 (i mbështetur nga agjencionet OBSH, UNFPA dhe UNICEF) të cilin e kanë kryer gati 90 për qind e profesionistëve shëndetësorë (gjinekolog,mami,neonatolog dhe infermiere pediatrike).

“Ka pasur furnizim të vazhdueshëm me pajisje të domosdoshme, qoftë nga buxheti ynë apo nga donacionet. Me huamarrjen nga Banka Botërore po planifikohet sigurimi i pajisjeve për të gjitha institucionet që ofrojnë shërbime shëndetësore për nëna dhe fëmijë në nivelin dytësor dhe tretësor".

"Me qëllim të monitorimit të punës profesionale dhe ngritjes së përgjegjësisë, Ministria e Shëndetësisë ka themeluar Komitetin Nacional për auditin klinik maternal dhe neonatal, i cili pritet të fillojë punën dhe do të shqyrtojë rastet e buzë-vdekjeve dhe vdekjeve eventuale maternale dhe neonatale", shtoi Vuthaj.

Por, Sami Uka, zyrtar për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë se Kosova ende nuk ka statistika zyrtare për vdekshmërinë e nënave.

Por, siç thotë ai, ajo që dihet është se situata me vdekshmërinë maternale, nuk ka shënuar ndonjë përparim të veçantë.

“Në Kosovë ende mund të ketë raste të vdekjes së nënave shtatzëna apo lidhur me shtatzani. Organizata Botërore e Shëndetsisë, po bën përpjekje që të instalojë procesin e shqyrtimit të vdekjeve maternale, për të vetmin qëllim, që të nxjerrin mësime prej rasteve të vdekjeve dhe buzë vdekjeve maternal, në mënyrë që punëtorët shëndetësorë të mësojnë se si mund të shmangen vdekjet dhe të përmirësohet cilësia e kujdesit".

"Ne mund të themi që punëtorët shëndetësorë po e bëjnë të pamundurën që të ngrisin cilësinë e shërbimeve por mbetet shumë për tu bërë", ka thënë Uka.

Ndryshe Syheda Latifi, koordinatore nacionale për shëndetin e nënës dhe fëmijës, duke folur për Radion EVropa e Lirë ka thënë se si çdo vend në zhvillim pas luftës edhe Kosova ka pasur vdekje maternale, derisa shton se në vitin 2014, dhe atë 2015, nuk është raportuar asnjë vdekje maternale.

“Vdekja maternale përkufizon vdekjen e grave që nga fillimi i shtatzanisë gjatë dhe pas shtatzanisë në 100 mijë lindje të gjalla. Fatmirësisht dy vitet e fundit, pra viti 2014 dhe ai 2015 nuk është raportuar asnjë vdekje maternale në mënyrë institutcionale. Mirëpo për vitin 2016 nuk kemi të dhëna".

"Është fatmirësi që nuk kemi vdekje maternale të raportuara, derisa ky rezultat vjen nga ngritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, dhe kjo është arritur me organizime të shumta nga OBSH, UNFPA dhe UNICEF", është shprehur zonja Latifi.

Sidoqoftë, me gjithë trajnimet dhe përmirësimin e kushteve për rastet e përkujdesit gjatë shtatëzanisë apo lindjes në qendrat e shëndetit publik, siç është Qendra Klinike Universitare e Kosovës, pacientet ankohen shpesh se nuk kanë marrë trajtimin e duhur.