Disa qindra qytetarë, në mbështetje të organizatave joqeveritare dhe duke brohoritur “nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, “kriminelët pas grilave” etj., mbrëmjen e së martës, për më shumë se pesë orë, kanë protestuar kundër vendimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për amnistimin e të gjithë politikanëve që janë nën hetime nga Prokuroria Speciale për mashtrime zgjedhore, por edhe për veprime të tjera të jashtëligjshme.
Protestuesit, fillimisht, kanë qëndruar para zyrës së Prokurorisë Speciale Publike të Maqedonisë, në mbështetje të këtij institucioni, që, siç kanë theksuar, duhet të vazhdojë me ngulm të ndjekë të gjithë ata të zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët dyshohet se kanë kryer vepra kriminale.
Më pas, ata kanë ndalur para zyrës së presidentit Ivanov, ku, përkundër forcave të shtuara policore, duke hedhur vezë dhe gjësende të forta, kanë thyer xhamat e Zyrës së Presidencës.
Protesta ka vazhduar para Qeverisë së Maqedonisë, ku protestuesve u është bashkëngjitur lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev.
Situata është tensionuar kur forcat policore kanë penguar protestuesit të afrohen para selisë së partisë maqedonase në pushtet VMRO DPMNE, nga radhët e së cilës është zgjedhur presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.
“Kam dalë për të protestuar kundër vendimit të Ivanovit. Më vjen keq, nuk mund të them se ai më është president i Maqedonisë, sepse ai ka rrënuar themelet e shtetit demokratik”, është shprehur një qytetar.
“Kam dalë për të protestuar se nuk pajtohem që të falen kriminelët; ata duhet të përgjigjen para drejtësisë nëse duam që të kemi shtet demokratik, i cili bazohet në sundimin e drejtësisë”, ka thënë një tjetër protestues.
Paralelisht këtyre protestave, para selisë së opozitës maqedonase - Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë - dhjetëra protestues, mbështetës të pushtetit, kanë protestuar kundër vendimit që amnistia të përfshijë edhe liderin e opozitës maqedonase, Zoran Zaev.
Menjëherë pas vendimit të presidentit Ivanov ka pasuar një varg reagimesh të ashpra nga ana e komunitetit ndërkombëtar.
Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim me vendimin e Ivanovit, duke theksuar se me këtë veprim, Maqedonia shmanget nga rruga e integrimeve euroatlantike.
“Vendimi i presidentit Ivanov për faljen e disa funksionarëve ka shkaktuar shqetësim serioz. Ky veprim po bëhet në kohën kur të gjitha partitë duhet të gjejnë mënyrë për zbatimin e Marrëveshjes Politike të Përzhinos (për zgjidhjen e krizës politike). U bëjmë thirrje të gjitha palëve që t’iu ikin rreziqeve që i shembin përpjekjet disavjeçare të shtetit, që me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, synon ta përforcojë sundimin e së drejtës”, theksohet veç tjerash në reagimin e Bashkimit Evropian.
Me këtë rast, Brukseli ka ritheksuar mbështetjen e plotë ndaj Prokurorisë Speciale Publike dhe nga ky institucion ka kërkuar që të vazhdojë me hulumtimin e krimit nga ana e zyrtarëve të lartë të Maqedonisë.
Kundër vendimit të presidentit Ivanov është shprehur dhe partia maqedonase në pushtet VMRO DPMNE, e udhëhequr nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski.
Kjo parti, përmes një reagimi me shkrim, thotë se është e habitur nga vendimi i presidentit Ivanov.
“Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është që njerëzit që kanë mbajtur peng Maqedoninë për një vit e gjysmë, që kanë thyer ligjet dhe institucionet e shtetit, patjetër duhet të përgjigjen”, theksohet në reagimin eVMRO-DPMNE-së.
Ndërkaq, lideri i partisë shqiptare në pushtet - Bashkimit Demokratik për Integrim - Ali Ahmeti e ka quajtur veprim të ngutshëm vendimin e Ivanovit, duke u shprehur i bindur se rruga e vetme për zgjidhjen e krizës në vend mbetet organizimi i zgjedhjeve më 5 qershor.
“Mendoj se vendimi i zotit Ivanov është një vendim i ngutshëm, i pamenduar fare dhe si një vendim i tillë, nga një i ashtuquajtur president jolegjitim, nuk ka legjitimitet, nuk mendoj se e ndihmon zgjidhjen e krizës”, ka deklaruar Ahmeti.
Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, vendimin e presidentit Ivanov e ka cilësuar si absurditet, përmes të cilit suspendohet sistemi juridik në Maqedoni.
Kundër vendimit të presidentit të Maqedonisë janë shprehur dhe partitë më të vogla shqiptare, të cilat nuk janë të përfaqësuara në parlament.