Kosova synon të jetë shtet vëzhgues në OBT

Ilustrim

Qeveria e Kosovës synon që gjatë këtij viti të aplikojë si shtet vëzhgues në Organizatën Botërore të Tregtisë. Kjo organizatë merret me nxitjen dhe vënien në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve tregtare ndërkombëtare.

Autoritetet kompetente thonë se përgatitjet për anëtarësim në këtë mekanizëm kanë nisur qysh para tetë vjetësh. Por, tani theksohet se përpjekjet janë intensifikuar edhe më shumë.

Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin për Tregti në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, për Radion Evropa e Lirë, tregon se në kuadër të përgatitjeve për anëtarësim në këtë mekanizëm ndërkombëtar, kjo ministri vitin e kaluar ka draftuar Memorandumin për Regjimin e Tregtisë se Jashtme.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës ka marrë qëndrim që në këtë organizatë të aplikojë si shtet vëzhgues për një periudhë, fillimisht pesëvjeçare dhe jo për anëtarësim të rregullt.

“Po cilat janë përfitimet si anëtar vëzhgues para se të shkohet si anëtare me të drejta të plota? Është se Kosova do të ketë qasje në trajnime dhe gjithashtu do të ketë mundësi që të marrë pjesë në grupet punuese të OBT-së".

"Përderisa nëse shkojmë si anëtar më të drejta të plota, përveç vështirësive politike që paraqiten nga fuqitë e mëdha, siç është Rusia, Kina dhe India kemi preferuar që të shkojmë me këtë opsionin që është më i lehtë për anëtarësim”, thotë Dervisholli për Radion Evropa e Lirë.

Anëtarësimi në OBT, është shumë me rëndësi për ekonominë e përgjithshme, veçanërisht për komunitetin e biznesit, thonë njohës të çështjeve ekonomike. Por, ata shprehen pesimistë se Kosova lehtë mund të pranohet në këtë organizatë.

Bernard Nikaj, profesor në Universitetin e Prishtinës, konsideron se pranimi i Kosovës në OBT, është proces relativisht i vështirë.

“Meqenëse si kusht për anëtarësim në OBT, është që të ketë një konsensus të plotë të të gjitha vendeve anëtare, do të thotë që të gjitha vendet anëtare të mos e pengojnë një vend të ri që aspiron të bëhet anëtar. Duke marrë parasysh situatën politike të Kosovës, besoj se kjo është problematike”, thekson Nikaj për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, Bernard Nikaj, i cili njëherësh ka qenë Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, tregon përfitimet që Kosova mund të gëzojë nga të qenët anëtar i Organizatës Botërore të Tregtisë.

“Anëtarësimi në OBT, përtej përfitimeve tregtare, mund të shikohet edhe në termat e përfitimeve të kapaciteteve njerëzore dhe institucionale. Realisht, nëse shikohet volumi tregtar që ka Kosova, mbi 80 për qind e tregtisë mbulohet nga Marrëveshja për Tregti të Lirë ‘CEFTA’ dhe tashmë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Evropian’MSA’”.

“Do të thotë, në aspekt të përfitimeve tregtare, ato do të jenë minimale, por ne do të përfitonim një ulëse në një organizëm ndërkombëtar, i cili do të sillte me vete edhe ngritje të kapaciteteve të institucioneve tona, por edhe të qenët në rrjedhë me zhvillimet teknike dhe jo teknike në nivel botëror”, shpjegon Nikaj.

Ndryshe, Kazakistani është shteti i fundit, që është pranuar vitin e kaluar në Organizatën Botërore të Tregtisë. Anëtarësimi i këtij shteti është finalizuar pas 20 vjetësh negociata.