Kombet e Bashkuara mund të jenë të detyruara t’u kërkojnë falje publike dhe t’i kompensojnë familjet rome të cilat pas luftës në Kosovë, ishin vendosur në kampet me mbetje toksike në veri të Kosovës.
Në kampet e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara në veri të Mitrovicës dhe Leposaviq, për dhjetë vjet rresht kanë jetuar rreth 1 mijë romë. Këto kampe, të ngritura nga administrata e Kombeve të Bashkuara e njohur si UNMIK, ishin në afërsi të Kombinatit Trepça, andaj edhe që nga fillimi ishin hedhur dyshime për helmimin e këtyre banorëve nga mbetjet toksike, sidomos nga plumbi.
Gazeta amerikane, New York Times, raporton se romët të cilët kanë jetuar nëpër këto kampe mund të presin tani një kompensim dhe kërkim-falje publike nga ana e Kombeve të Bashkuara, për faktin se administrata e UNMIK-ut nuk kishte ndërmarrë asnjë masë për largimin e tyre për dhjetë vite të tëra.
Në një opinion që ka lëshuar më 26 shkurt të këtij viti, një panel për të drejtat e njeriut në kuadër të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, sipas gazetës, bënte me dije se UNMIK-u kishte neglizhuar problemin dhe dështuar t’i mbronte familjet rome.
Paneli, ka ardhur në përfundim se UNMIK-u i ka i lënë romët në këto kampe me vite pavarësisht që banorët aty sëmureshin, në të shumtat e rasteve, nga helmimet e mbetjeve toksike aty. Kurse më të goditurit besohet të kenë qenë fëmijët.
Ndryshe, më 8 prill në botë shënohet dita e romëve, e cila në mbarë botën përcillet me manifestime që si qëllim kanë mesazhet për një jetë më të mirë të këtij komuniteti i cili jeton në shumë shtete të botës.
Në veri të Kosovës, në një lagje të banuar me gjashtë familje rome, që dikur jetonin në kampet e UNMIK-ut, banorët thonë se jeta e tyre tani është më e mirë, por ende ballafaqohen me probleme të shumta sociale.
Leodita T. është 13 vjeç. Ajo i gëzohet ditës së romëve, sepse ka festë. Kurse kushtet e tashme të jetesës thotë se janë shumë më të mira sesa në kamp, të cilin e kujton si një vajzë e vogël.
“Këtu e kemi mirë. Atje, në kamp ka qenë vështirë, por tash jetojmë këtu më mirë”, thotë Leodita.
Por, të rriturit nuk janë të kënaqur as me kushtet që ofron tani jeta në këtë lagje.
Elfrida Tutalj, nënë e shtatë fëmijëve, thotë se jeta e romëve vazhdon të jetë e vështirë. Fillimisht ajo ka jetuar në Prizren, më pas në kampin e refugjatëve në veri dhe tani në lagjen e re, por që gjendja sociale, sipas saj, vazhdon të jetë e vështirë.
“Vështirë jetohet. Nuk kemi me çka të vishemi e as ushqehemi, kështu që presim ndihmat sociale dhe shtesat e fëmijëve. Derisa nuk i marrim këto mjete futemi në borxh dhe më pastaj i kthejmë. Burri punon punë private dhe kështu jetojmë”, thotë kjo banore.
Ndërkaq, një i ri, 17 vjeç, me emrin, Ismail S., thotë se jeton së bashku me prindërit dhe vëllanë. Pasi kishte mbaruar shkollën fillore, për shkak të kushteve ekonomike ai nuk arriti të vazhdojë tutje shkollimin dhe për këtë ndjen keqardhje të madhe. Tani, më me dëshirë do të gjente një punë.
“Për çfarë kam nevojë...për ndonjë punë që të punojë diçka. Më shumë do të dëshiroja vetëm të punojë”, thotë i riu me emrin Ismail.
Komuniteti rom jeton në pjesë të ndryshme të Kosovës dhe është i përfaqësuar edhe në Kuvend. Në ditën e romëve, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pritur në takim përfaqësuesit e romëve, me ç’rast thuhet se u bisedua edhe për aspekte konkrete të mbështetjes për këtë komunitet.