Shëndeti oral tek fëmijët në Kosovë nuk është në nivelin e kënaqshëm. Një konstatim i tillë del si rezultat i disa hulumtimeve si dhe vlerësimeve të stomatologëve. Në bazë të hulumtimeve të bëra, del se fëmijët nga mosha 6 deri në 14 vjeç, kanë pesë deri në gjashtë dhëmbë të prishur.
Ky konstatim vjen si rezultat i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, të udhëhequr nga stomatologu, Xheladin Ujkani.
Sipas tij, ndonëse tash e disa vite ka hyrë në fuqi projekti për kontrollime sistematike tek fëmijët për shëndetin oral, duhet kohë për përmirësim të situatës.
“Realisht gjatë aktiviteteve të përjavshme që kemi, bëjmë hulumtime tek grupmoshat e ndryshme dhe gjendja nuk është e mirë. Në fakt është pak shqetësuese, por ne po punojmë që në një periudhë afatmesme ta përmirësojmë situatën që të kemi statistikë të përafërt me shtetet e BE së. Mesatarja e dhëmbëve të prishur prej 6 deri në 14 vjeç, sillet nga 5-6 dhëmbë të prishur, por që dallon prej institucionit në institucion, dhe fëmijët prej fëmijëve”, ka deklaruar Ujkani.
Por, sa dinë fëmijët për shëndetin oral? - Lyroni është 6 vjeçar dhe është ambasador i projektit ‘’Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, në shkollën fillore ‘’ Naim Frashëri’’ në Prishtinë. Ai flet për atë se si kujdesen fëmijët për dhëmbët.
“Unë jam ambasador i projektit "Dhëmbë të shëndoshë fëmijë të lumtur" në klasën time. Unë kujdesem për dhëmbët e mi shumë. I pastroj në mëngjes, pas drekës dhe në mbrëmje. Unë ju them edhe shokëve dhe shoqeve të mi, se gjithmonë dhëmbët duhet pastruar. Tashmë pothuajse të gjithë fëmijët kanë filluar ti pastrojnë dhëmbët shumë shpesh”, thotë Lyroni.
Dhëmbët e prishur mund të sjellin edhe probleme tjera shëndetësore tek fëmijët. Xheladin Ujkani, flet për kujdesin që duhet pasur tek fëmijët gjatë konsumimit të ushqimit.
“Realisht problemet me dhëmbë ndikojnë edhe në organizëm në përgjithësi. Është mirë që të ketë kujdes edhe në ushqim siç janë pemë, perime, djathi, buka, uji, qumështi, çaji kamomil e me u largu prej ushqimeve të kripura dhe sheqerosura si dhe pijet e gazuara”, thekson Ujkani.
Ndërkaq disa prindër thonë se mundohen që të kujdesen me aq sa kanë njohuri për shëndetin oral të fëmijëve të tyre. Velizake Celina thotë se ajo si prind mundohet t'i kushtojë shumë rëndësi shëndetit oral te fëmijët e saj.
“Fëmijës tim i flas se si çdo ditë disa herë në ditë t'i pastrojë dhëmbët. Rezultati nuk ka munguar dhe po e shoh nga ajo se si tashmë djali im gjashtë vjeçar i flet motrës së tij më të vogël, për atë se edhe ajo duhet kujdeset për dhëmbët. Mendoj se pastërtia e dhëmbëve ka rëndësi të madhe pasi që shumë infeksione mund të vijnë nga mungesa e higjienës orale”, thotë Celina.
Kurse stomatologët në vend thonë se fëmijët kryesisht i vizitojnë ordinancat e tyre vetëm atëherë kur fillojnë problemet me dhëmbët e qumështit, apo kur u dalin dhëmbët e përhershëm, pra pas moshës 7-vjeçare e tutje.
Albert Shala, stomatolog, thotë se në bazë të përvojës që ka me fëmijët niveli i shëndetit oral nuk është i kënaqshëm.
“Fëmijët më së shumti vizitojnë stomatologun atëherë kur paraqiten dhëmbët e përhershëm dhe kur kanë probleme me dhëmbët e qumështit. Konsideroj se aty përgjegjësinë e kanë prindërit, pasi që fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për shëndetin oral, ndonëse kohët e fundit me projekte të ndryshme kanë filluar ti vetdijesojnë fëmijët për rëndësinë e shëndetit oral“, shprehet stomatologu Albert Shala.
Ushqimet e shëndetshme për dhëmbët, sipas stomatologëve, janë: uji, qumështi, çaji kamomil, djathi, buka, pemët dhe perimet e freskëta. Ndërkaq ushqimet e dëmshme për dhëmbët janë çokollatat, ëmbëlsirat, bonbonet, çipsat, kikirikët, farat me krip dhe piper dhe pijet e gazuara.
Për një higjienë të rregullt gojore dhe dhëmbë të shëndoshë, stomatologët preferojnë që dhëmbët të pastrohen në mëngjes, gjatë ditë sipas nevojës dhe në mbrëmje para gjumit.