Situata epidemiologjike me gripin sezonal në Kosovë është nën kontroll, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Nga tetori i vitit 2015, kemi pasur 744 mostra të dyshimta me grip, derisa në sezonin 2015/2016 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë raportuar 6 raste të vdekjes.
“Nga 1 tetori kur ka filluar sezoni i gripit, janë testuar 744 mostra të dyshimta me grip. Laboratorët e Institutit Kombëtar në Qendrën Kombëtare të Gripit, IKSHPK, janë diagnostikuar 236 raste pozitive prej të cilave 70 raste Influencë A, 10 raste A (H3), 28 raste me A(H1N1), dhe 128 raste në Influencën B”, ka bërë të ditur ai.
Ramadani ka dhënë më shumë sqarime lidhur me virusin AH1N1, i cili ndryshe njihet edhe si gripi i derrit.
"Tash po e nominojnë si grip i derrit, por në realitet nuk është më grip i derrit, po është virusi AH1N1, i cili në modifikimin e tij gjenetik nuk është përforcuar, por është dobësuar prej vitit 2009, por kohë pas kohe paraqitet në valë të ngjashme me gripin sezonal. Më 2009 gripi i derrit nuk ka zgjedhur sezon, madje është paraqitur në muajt e verës”, ka thënë Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Ndërkaq, për Klinikën infektive ku edhe trajtohen rastet me simptoma të gripit, infektologu Sali Ahmeti jep hollësi rreth kushteve dhe furnizimit me barna të nevojshme:
“Tashmë është sezoni për shfaqjen e sëmundjeve të sistemit respirator dhe muajt e fundit kemi fluks më të shtuar, sidomos me simptoma të gripit. Ne, si klinikë, jemi të përgatitur dhe hospitalizojmë rastet që janë me komplikime, raste të cilat nuk kanë munguar”.
“Sa i përket furnizimit me barna, jemi të furnizuar mirë , qoftë për trajtim me antibiotikë apo edhe lloje të tjera që i trajtojmë, varësisht nga sëmundja”.
Ndryshe, Instituti Kombëtar ka bërë thirrje te të gjithë drejtorët rajonalë të Shëndetësisë Publike që të ngrihet niveli i vigjilencës dhe raportimit të rasteve të dyshimta në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private në Kosovë.
Zyrtarë nga IKSHPK-ja kanë shtuar se Inspektorati shëndetësor duhet të mbikëqyrë të gjitha institucionet shëndetësore të Kosovës për të urdhëruar për obligimin ligjor të paraqitjes së sëmundjeve ngjitëse.
E për këtë ka një shpjegim Valbon krasniqi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë:
“Unë mund të konfirmoj që të gjitha institucionet shëndetësore, në bazë të Ligjit për luftimin dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, janë të obliguar të raportojnë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik”.
“Në kuadër të Ligjit për masat e parandalimit të sëmundjeve ngjitëse, janë masat e përgjithshme dhe të veçanta për mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse. Në kuadër të masave të veçanta hyn edhe paraqitja e obliguar e sëmundjeve ngjitëse, duke përfshirë edhe atë të gripit. Pra, të gjitha institucionet shëndetësore duhet të raportojnë në IKSHP”.
E problemi më i madh gjatë trajtimit të rasteve me grip, sipas mjekëve, vazhdon të jetë neglizhimi i sëmundjes.
Profesionistët shëndetësorë thonë se të gjitha rastet fatale janë paraqitur me vonesë për trajtim mjekësor.