Azerbajxhani shpall armëpushim të njëanshëm

Nagorno-Karabah

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit, njoftoi të dielën se ka shpallur armëpushim të njëanshëm në rajonin e kontestuar Nagorno-Karabah, derisa atje luftimet kanë vazhduar për të dytën ditë me radhë.

Kjo ministri tha se shpallja është bërë për shkak të kërkesave të organizatave ndërkombëtare.

Autoritetet e Azerbajxhanit thanë se do të fillojnë forcimin e pozicioneve të veta në territorin që tash e ka nën kontroll.

Nga përleshjet ushtarake janë vrarë së paku 12 ushtarë të Azerbajxhanit, 18 ushtarë armenë dhe dy civilë.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit deklaroi se forcat e saj do të përgjigjen me zjarr, nëse sulmohen nga forcat e Armenisë ose separatistët etnikë armenë në këtë rajon të kontestuar.

Ndërkaq, ka pasur raporte për luftime sporadike ndërmjet forcave të Azerbajxhanit dhe Armenisë të dielën, gjatë ditës.

Më herët Azerbajxhani tha se forcat e Armenisë e kanë shkelur marrëveshjen e vjetër 21-vjeçare për armëpushim, më shumë se 130 herë gjatë 24 orëve të kaluara, përfshirë sulmet artilerike gjatë natës dhe të dielën pas agimit, nga territori i Armenisë dhe territori i Nagorno-Karabahut.

Por, ushtria e Armenisë e akuzoi ushtrinë e Azerbajxhanit se kishte lansuar ofensivë madhore gjatë ditës së shtunë, duke përdorur tanke, artileri të rëndë dhe helikopterë me armatim automatik.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se forcat e veta kanë okupuar “rrafshnalta strategjike dhe vendbanime” në rajon, pasi i kanë shkatërruar gjashtë tanke të ushtrisë së Armenisë.

Autoritetet ushtarake në Baku të Azerbajxhanit njoftuan se një helikopter ushtarak me armatim automatik i Azerbajxhanit, është rrëzuar dhe se një tank është shkatërruar nga mina tokësore.

Liderët separatistë etnikë armenë thanë se të kenë rimarrë disa terrene strategjike, pasi shkatërrimit të disa tankeve të Azerbajxhanit.

Një video-kameraman i Radios Evropa e Lirë në rajon, i ka cituar fshatarët në rrethet Tartar dhe Agdere që kanë thënë se tanket e Armenisë, po ashtu, ishin shkatërruar nga forcat e Azerbajxhanit, paraditen e së dielës.

Konflikti ushtarak në Nagorno-Karabah, shkaktoi reagime ndërkombëtare.

Zyra e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të dielën se Erdogan ka shprehur përkushtim “për mbështetjen e Azerbajxhanit deri në fund”.

Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kërkuan ndaljen e luftimeve.

Bashkëkryesuesit e Grupit të Minskut të OSBE-së planifikojnë të takohen të hënën në Vjenë për ta caktuar një mbledhje të këtij grupi për 5 prill, për të diskutuar për dhunën në Nagorno-Karabah.

Rajoni Nagorno-Karabah gjendet brenda Azerbajxhanit, por është nën kontrollin e armenëve etnikë, për më tepër se dy dekada.

Përgatiti: Fatmir Bujupi