Luftime të ashpra në Nagorno-Karabah

Your browser doesn’t support HTML5

Luftime në Nagorni-Karabah

Raportohet për luftime të ashpra në rajonin kontestues Nagorno-Karabah, brenda Azerbajxhanit.

Të dy palët e akuzojnë njëra-tjetrën për fillimin e luftimeve të reja.

Ushtria e Armenisë i ka akuzuar forcat e Azerbajxhanit se kanë lansuar ofensivë të madhe, me tanke, artileri të rëndë dhe helikopterë luftarakë.

Ushtria e Azerbajxhanit thotë se forcat e vijës së parë të saj ishin “sulmuar nga zjarri intensiv” gjatë natës dhe se është dashur të ndërmerren “masa urgjente” nga ushtria.

Rajoni Nagorno-Karabah shtrihet brenda Azerbajxhanit, por është nën kontroll të armenëve etnikë.

Ministria e Mbrojtjes në Karabah tha se një djalosh 12-vjeçar është vrarë dhe dy fëmijë të tjerë janë plagosur.

Edhe Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit njoftoi se një civil azer është vrarë.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes e Armenisë ka vlerësuar se ky është përshkallëzimi më serioz i luftimeve në këtë konflikt prej marrëveshjes së vitit 1994, dhe u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Francës, që ishin të përfshira në përpjekjet ndërkombëtare për ndërmjetësim në këtë konflikt, të intervenojnë në mënyrë urgjente.

Kryeministri i Armenisë, Ovik Abrahamyan, ka thirrur një mbledhje urgjente për shkak të “armiqësive të paprecendent të shkallës së lartë nga armiku”, ka njoftuar Qeveria e Armenisë.

“Armenia është e gatshme të ndërmarrë hapa të domosdoshëm për stabilizimin e situatës”, tha Abrahamyan.

Në Moskë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u ka bërë thirrje të dy palëve që t’i ndalin luftimet, raportojnë mediat ruse.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti Putin është “thellë i shqetësuar për raportet e vazhdimit të aksioneve ushtarake përgjatë linjës së angazhimit në Nagorno-Karabah”.

Hikmat Hajiyev, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Azerbajxhanit, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për t’i dënuar aksionet e Armenisë.

Ministria e Mbrojtjes e Karabahut tha se “përleshje të rrepta po ndodhin përgjatë gjithë linjës së kontaktit”.

Forcat e Karabahut, po ashtu, pretendojnë se e kanë rrëzuar një helikopter të Azerbajxhanit. Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit i ka hedhur poshtë këtë pretendime.

Autoritetet e Azerbajxhanit thanë se pozicionet e forcave të veta ishin nën zjarr intensiv nga predhat, lansuesit e granatave dhe nga artileria.

Nga ky konflikt, që ka shpërthyer gjatë viteve të shkatërrimit të ish-Bashkimit Sovjetik, janë vrarë afro 30 mijë vetë.

Luftimet po ndodhin pavarësisht thirrjeve të mbrëmshme nga Uashingtoni për zgjidhje të këtij konflikti.

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë takimeve të tij u ka bërë thirrje të këtillë presidentëve të Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Biden ka “shprehur shqetësim për vazhdimin e dhunës, ka ftuar për dialog dhe ka theksuar rëndësinë e zgjidhjes gjithëpërfshirëse për stabilitet afatgjatë, siguri dhe prosperitet të rajonit”, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Të dy liderët, ai i Armenisë dhe Azerbajxhanit, thanë se i kanë inkurajuar Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin aksion aktiv në arritjen e zgjidhjes.

Kjo thirrje nga Biden, u bë pas asaj të sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili ka kërkuar “zgjidhje përfundimtare” të konfliktit gjatë bisedimeve me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, më 31 mars në Uashington.

Në takimin e tij me sekretarin Kerry, Aliyev i falënderoi Shtetet e Bashkuara për përpjekje për përfundim të konfliktit, por tha se konflikti mund të zgjidhet vetëm me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për “tërheqje të menjëhershme dhe të pakusht të trupave të Armenisë” nga Azerbajxhani.

Përgatiti: Fatmir Bujupi