Opozita kundërshton rezultatet e komisionit ndërkombëtar për demarkacionin

Liderët e opozitës gjatë një konference të përbashkët

Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kanë shprehur skepticizmin dhe kundërshtimin e tyre ndaj rezultateve që ka prezantuar komisioni ndërkombëtar për demarkacionin me Malin e Zi.

“Për shkak se ky komision nuk përmbante asnjë ekspert vendor dhe në anën tjetër, kishte përcaktuar që metodën e punës ta kishte të njëjtë me atë të komisionit paraprak. Një komision që nuk përmbanë ekspertë vendorë dhe që ka metodë të njejtë me komisionin e kaluar, nuk kishte se si të sillte rezultate të ndryshme nga ai”, thuhet në reagimin e përbashkët të opozitës.

Sipas opozitës, të gjeturat e këtij ekipi ndërkombëtarë janë vlerësime që janë bërë për nevojat e Presidentes dhe si të tilla nuk mund të kënë reflektim në domosdoshmërinë e korrigjimit të kufirit me Malin e zi.

“Kufijtë e Kosovës mund t’i caktojë vetëm një Komision kredibil shtetëror i Kosovës, i cili mund të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, që do të shfrytëzojë dokumenta valide, metodologji adapte të punës dhe të dhëna shkencore, por kurrsesi një grup prej tre personave prej të cilëve vetëm njëri është ekspert i fushës kurse dy të tjerët janë diplomatë”, thuhet në reagim.

“Kosova nuk ka territore për të falur dhe tërësinë e saj territoriale do ta mbrojmë pavarësisht vendimeve të tilla”, vijon ndër tjera reagimi i opozitës.