Importi shihet si pengesë e zhvillimit të bujqësisë

Ilustrim

Sektori i bujqësisë, nga autoritetet e Kosovës, po cilësohet si prioritet për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve te reja të punës.

Investimet në këtë sektor kanë shënuar rritje sidomos vitet e fundit. Megjithatë, në Kosovë shumica e produkteve bujqësore importohen nga vendet e Bashkimit Evropian, kurse eksporti është në nivel minimal.

Ekspertë të bujqësisë dhe fermerët theksojnë se importi i produkteve bujqësore po dëmton prodhimet vendore.

“Agrovizion”, është njëra nga kompanitë në Kosovë, e cila merret me bujqësi. Kjo kompani që gjendet në komunën e Lipjanit dhe menaxhon 30 hektarë tokë bujqësore. Në tregun e Kosovës, kjo kompani është prezente me shumë prodhime bujqësore.

Rexhep Spahiu, pronar në këtë kompani, tregon për Radion Evropa e Lirë se barriera kryesore në këtë veprimtari është lejimi i importit të të gjitha produkteve nga vendet e rajonit.

“Së pari duhet të shiten prodhimet vendore e më pastaj, nëse nuk plotësohen kërkesat, duhet të importohen edhe nga jashtë, sepse popullata ka nevojë. Ne nuk mund të plasojmë prodhimet tona, për shkak të importit të madh që bëhet. Nëse qeveria nuk ndërmerr masa, atëherë nuk mund të zhvillohet bujqësia në këtë mënyrë”, thekson Spahiu.

Sipas tij, për zhvillimin e kësaj veprimtarie është ndihmuar nga institucionet qeveritare në Kosovë dhe Programi i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Kosova, me ligjet e saj mbështet tregun e lirë ekonomik. Por, sektori i bujqësisë, sipas ekspertëve, po vuan nga importi i produkteve bujqësore, madje edhe jocilësore.

Profesori i politikave bujqësore në Fakultetin e Bujqësisë, Halim Gjergjizi kërkon nga autoritet kompetente që produktet e importuara t'i nënshtrohen kontrolleve të nevojshme.

“Nëse qeveria kontrollon produktet që hyjnë në tregun e Kosovës, atëherë shumica nga to, nuk do të gjenin vend në tregun e Kosovës. Por, meqë këto kontrolle mungojnë, ndonjëherë edhe në mënyrë të “vetëdijshme”, vetëm për të përmbushur kërkesat e tregut, fermerët kosovarë janë në një konkurrencë të “ ashpër “ dhe jo të drejtë, nga vendet e rajonit“, tha Gjergjizi.

Për zvogëlimin e importit dhe mundësinë e rritjes së eksportit të produkteve bujqësore, ditë më parë, ministri i Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se me fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit për herë të parë mbi 2500 produkte bujqësore nga Kosova nuk do të kenë barriera tarifore në tregun e Bashkimit Evropian.

Autoritetet qeveritare, ndërkaq vazhdimisht kanë pohuar mbështetje në forma të ndryshme për agrobizneset në Kosovë.

Por, profesori Halim Gjergjizi, thekson se sektori i bujqësisë nuk mbështetet vetëm më subvencione, ai shpreh shqetësimin, për lejimin e zvogëlimit të sipërfaqes se tokës se klasit të parë.

“Ka deklarime, por mbështetje faktike dhe funksionale nga qeveria nuk ka ende. Pra, janë subvencione të pjesshme, por bujqësia nuk mbështetet vetëm me subvencione. Pra, bujqësia ka nevojë për një mbështetje, prej politikave tatimore, politikave fiskale dhe arsimimit të vazhdueshëm për zhvillim”.

“Po ashtu shërbimet profesionale janë të nevojshme për prodhuesit bujqësor. Prandaj edhe “zinxhiri i marketingut” prej prodhuesit deri tek tryeza nuk është funksional. Shumica e produkteve bujqësore që prodhohen në Kosovë mbesin në ferma, nuk arrijnë të dalin në treg”, thekson ai.

Ndryshe në Qeverinë e Kosovës thonë se ka të arritura në këtë sektor, madje vitin e kaluar, përmes bujqësisë, është thënë se janë punësuar 2.500 veta, kurse gjatë këtij viti priten të punësohen rreth 3.000 persona.

Në këtë kuadër, Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, ka thënë se po punohet edhe në adaptimin e legjislacionit me standardet e Bashkimit Evropian.