Ushtria siriane rimerr Palmirën nga Shteti Islamik

Palmira, Siri

Forcat e Qeverisë së Sirisë, të mbështetura nga forcat ruse, kanë rimarrë qytetin historik të Palmirës nga grupi ekstremist Shteti Islamik (IS).

Televizioni shtetëror i Sirisë ka njoftuar të dielën se ushtria dhe milicitë aleate kanë nën kontroll të plotë Palmirën dhe se janë duke pastruar minat dhe bombat e vendosura nga militantët.

“Siguria dhe stabiliteti në Palmira janë rikthyer. Ushtria ka vendosur kontrollin në malet përreth qytetit, ka vrarë një numër të madh të terroristëve të Shtetit Islamik dhe ka shkatërruar pajisjet e tyre”, ka thënë një komandant i ushtrisë siriane.

Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup me seli në Londër që monitoron luftën në Siri, ka thënë shumica e luftëtarëve të Shtetit Islamik janë tërhequr.

Rikthimi i qytetit është një fitore e madhe strategjike për qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, e cila ka bërë avancime të qëndrueshme muajve të fundit kundër Shtetit Islamik dhe grupeve opozitare rebele.

Rruga që lidh Palmirën me qytetin Raka, që është bastion i Shtetit Islamik, është nën kontrollin e ushtrisë, çfarë do të thotë se militantët mund të tërhiqen vetëm në lindje, në drejtim të kufirit me Irakun.

Forcat e qeverisë kanë nisur ofensivën për rimarrjen e Palmirës tri javë më parë, të mbështetura nga sulme intensive ajrore të Rusisë.

Edhe pse Rusia, dy javë më parë, ka njoftuar se tërheq shumicën e forcave të saj ushtarake nga Siria, avionët dhe helikopterët rusë kanë kryer dhjetëra sulme në Palmira.

Rami Abdulrahman, udhëheqës i Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, ka thënë se 400 luftëtarë të Shtetit Islamik dhe 180 forca qeveritare dhe milicë aleatë kanë vdekur në luftimet për Palmirën.

Abdulrahman e ka përshkruar betejën si humbjen më të madhe për Shtetin Islamik prejse ka shpallur kalifatin e tij në zona të Sirisë dhe Irakut, më 2014.

Luftëtarët e Shtetit Islamik janë dëbuar nga qyteti Ramadi i Irakut vetëm tre muaj më parë, çfarë ka qenë një fitore e madhe për shtetin irakian. Ata po ashtu kanë humbur qytetin Tikrit të Irakut dhe qytetin Al-Shadadi të Sirisë në muajin shkurt.

Më 24 mars, ushtria e Irakut ka thënë se do të nisë ofensivën për rikthimin e qytetit të dytë më të madh, Mosulit, i cili është nën kontrollin e Shtetit Islamik qysh në qershor të vitit 2014.

Palmira, e njohur botërisht për rrënojat e saj nga epoka romake, ka qenë nën kontrollin e militantëve të Shtetit Islamik qysh në muajin maj.

Ekstremistët kanë demoluar disa monumente të rëndësishme, si Tempullin Bel, të vjetër 2,000 vjet.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Arsim e Shkencë, e njohur si UNESCO, ka thënë se fushata për shkatërrimin e Palmirës është krim lufte, i dënueshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime. (v.tela)