Ministri i Jashtëm i Belgjikës tha sot se i dyshuari për sulmet terroriste të vitit të kaluar në Paris, Salah Abdeslam u ka thënë hetuesve se ai po planifikonte “diçka të re” nga Brukseli.
Ministri i Jashtëm, Didier Reynders tha sot se Abdeslam ka thënë se “ai është i gatshëm të rinis diçka nga Brukseli dhe se ky pohim mund të jetë i vërtetë”.
Reynders tha se autoritetet po e marrin seriozisht këtë pohim, pasi ato kanë gjetur “shumë armë, madje edhe të rënda, gjatë hetimeve të para dhe se kanë parë një rrjet të ri të njerëzve përreth tij në Bruksel”.
Abdeslam u kap të premten gjatë një bastisjeje policore në Bruksel dhe është akuzuar sot nga autoritetet belge si “vrarës terrorist”.
Ai është i dyshuari kryesor i sulmeve të 13 nëntorit në Paris, ku mbetën të vrarë 130 persona.