Mustafa dhe Mogherini diskutuan për zhvillimet në Kosovë

Pamje gjatë një takimi të mëparshëm Mustafa - Mogherini

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sot në Bruksel është takuar me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, me ç’rast është diskutuar për zhvillimet në Kosovë.

Mëtutje, në kumtesën e qeverisë së Kosovës, theksohet se zoti Mustafa e ka njoftuar atë “për progresin e gjithanshëm në Kosovë”, duke veçuar përmbushjen e rekomandimeve dhe kritereve për liberalizim të viziave.

Në këtë kuadër ai ka shprehur besim se “BE-ja së shpejti do të merr vendim pozitiv për liberalizim të viziave për qytetarët e Kosovës”.

Zyrtarja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, tha se shpreson se dialogu gjithpërfshirës politik do të ndihmoj në tejkalimin e ngërçit në Kuvendin e Kosovë në periudhën e ardhshme.

Ajo, po ashtu, ka konfirmuar gatishmërinë e BE-së për të ecur përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, pas përmbushjes së kushteve, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.