Shqetësime për mungesë vaksinash në Kosovë

Ilustrim

Kosova aktualisht po përballet me mungesën e vaksinës “Pentavax”, e cila shërben për mbrojtje nga pesë sëmundje: difteria, tetanusi, pertusisi, hepatiti dhe virusi i gripit.

Sipas indeksit ndërkombëtar, çdo vit vaksinimi nshmang në nivel botëror rreth 2 deri 3 milionë vdekje të fëmijëve nga sëmundjet vdekjeprurëse.

Imunizimi në Kosovë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, është një nga pikat më të ndritshme në sistemin e shëndetësisë, me mbulim prej mbi 95 për qind.

Me gjithë mungesën e vaksinave, sipas zyrtarit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Lulzim Uka, vonesa e vaksinimit te fëmijët nuk e çrregullon orarin e rregullt të imunizimit.

“Përveç mungesës së vaksinës ‘’Pentavax’’, e që është në proces për t'u siguruar, kjo vonesë sipas ekspertëve shëndetësorë nuk e çrregullon orarin vjetor të vaksinimit të fëmijëve, pasi që flitet për një vaksinë që merret brenda vitit dhe nuk është vaksinë sezonale”, ka thënë Uka.

“Vaksinat tjera janë të siguruara. Ministria e Shëndetësisë i ka deponuar mjetet e nevojshme për sigurimin e vaksinave për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, qysh në muajin e fundit të vitit të kaluar, derisa edhe për gjashtë mujorin e dytë të këtij viti mjetet janë deponuar para një muaji. Problemi është deri në arritjen e dërgesës në Kosovë”, ka theksuar ai.

Por, me gjithë deklaratat e zyrtarëve të ministrisë, ndryshe mendojnë prindërit e fëmijëve që disa herë kanë shkuar në qendrat e mjekësisë familjare për t'i vaksinuar fëmijët.

Mimoza Dula, nënë e një djali tre muajsh, thotë se kjo mungesë flet për nivelin në të cilin ndodhet shëndetësia në Kosovë.

“Kjo mungesë e vaksinave është neglizhencë e Ministrisë së Shëndetësisë. Unë si nënë jam mjaft e shqetësuar për vonesën e këtij vaksinimi që është shumë i domosdoshëm për fëmijën tim dhe fëmijët në përgjithësi”, ka thënë Dula.

“Do të thotë ka kaluar më shumë se një muaj nga koha kur është dashur të vaksinohet fëmija im. Do të vijë radha për vaksinimin e herës së tretë, ai ende nuk është vaksinuar për herën e dytë. Mendoj se është për t'u shqetësuar dhe për t'u merakosur”, është shprehur ajo.

Në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, zyrtari për shëndetin e nënës dhe fëmijës, Sami Uka, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë lidhur me atë se a mund të ketë pasoja vonesa e vaksinimit tek fëmijët.

“Natyrisht që mund ta çrregullojë orarin e kalendarit të vaksinimit, por jo nëse ka mungesa të shkurtra. Ai mund të plotësohet ndërkohë dhe nuk do të paraqes problem serioz, duke marrë parasysh edhe atë se në Kosovë nuk ka ndonjë epidemi apo rrezik të shfaqjes së epidemive të sëmundjeve e që parandalohen përmes imunizimit”, ka deklaruar Uka.

Sidoqoftë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka thënë se Kosova njihet si vend me imunizim të mirë, duke kaluar edhe shumë vende të zhvilluara evropiane.

Por, ai gjithashtu shtoi se ka vise në të cilat duhet ende të punohet në këtë drejtim. Sipas të dhënave në terren, ka shtuar ai, pesë për qind e fëmijëve të pa-vaksinuar në Kosovë u përkasin komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas.