Një seri e sulmeve ndaj veturave zyrtare kanë ndodhur të mërkurën mbrëma nëpër qytete të ndryshme të Kosovës.
Policia, nuk ka arritur të identifikoj sulmuesit, kurse konfirmon se bëhet fjalë për zjarrëvënie të qëllimshme.
Veturat zyrtare u sulmuan në Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Pejë e Malishevë.
Rreth orës 22:30, në rrugën “Afrim Zhitia” në Mitrovicë, i ishte vënë zjarri një veturë e tipit “Suzuki”, ka njoftuar Policia e Kosovës për rajonin e Mitrovicës.
Kurse rasti i dytë ishte ‘dëmtim prone’ i raportuar po në Mitrovicë, në një parking të cilin e shfrytëzon misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX-it, ku ishin dëmtuar katër vetura të këtij misioni.
Po ashtu, policia ka njoftuar se rreth orës 23:10 një veturë, pronë e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit është përfshirë nga zjarri në Pejë.
Kurse në Malishevë, është raportuar se i është vënë flaka një veture, pronë e Gjykatës Themelore në Gjakovë. Edhe ky rast, është raportuar nga policia se ka ndodhur pas orës 22:00.
Cak i sulmeve ishte edhe një veturë e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Gjilan, dhe një tjetër në Ferizaj, e cila i takon Qendrës për Punë Sociale. Edhe këto sulme u kryen pas orës 22:00.
Policia ka konfirmuar se sulmet kryesisht janë kryer me molotov, kurse nuk ka pasur persona të lënduar. Po ashtu, tash për tash policia nuk ka arritur të kap asnjërin prej të dyshuarve.