Mbi 120 raste në vit me tumor të trurit

Ilustrim

Në institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në vit lajmërohen rreth 120 raste me kancer në sistemin nervor qendror. Kështu thotë onkologja në këtë institut, Vildana Goga Çmega.

Sipas saj, krahasuar me vendet e rajonit, numri apo incidenca e të prekurve me karcinomën në sistemin nervor qendror, është më e ulët në Kosovë, pasi që edhe popullata është më e re në moshë, derisa siç thotë ajo sëmundja prek kryesisht njerëz më të moshuar.

“Modalitetet e trajtimet e kësaj sëmundjeje janë disa lloje. Intervenimi kirurgjik, aplikimi i radioterapisë, kemioterapi dhe target terapi. Të gjitha këto kryhen në Institutin Onkologjik".

"Një aparaturë që ne e posedojmë është mjaft efektive për trajtimin e karcinomës së sistemit nervor qendror, derisa për fëmijët egzistojnë metoda më të sofistikuara e që Instituti Onkologjik nuk i posedon”, ka thënë Çmega.

Zonja Goga Çmega, gjithashtu tregon edhe për mbulueshmërinë me barna për trajtimin e këtij lloji të kancerit në Institutin Onkologjik.

“Me barnat për sistemn nervor qendror jemi të mbuluar 95 për qind për këtë vit dhe dy vitet e ardhshme, pasi që rastet janë më të rralla dhe planifikimi është bërë mire”, ka thënë ajo.

Por, për tu diagnostikuar me karcinomën e sistemin nervor qëndror, biopsia duhet bëhet nga patologët.

Ramadan Sopa, patolog, njëherit drejtor në Institutin Paraklinik në Qendrën Klinike Universitare, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pas marrjes së biopsisë së pacientit, ai duhet të pres deri në një muaj për rezultatin. Kjo sipas tij, për shkak të listës së gjatë të pritjes së pacientëve dhe punës jo shumë të shpejtë që bëhet në këtë institut.

‘’Tumoret e sistemit nervor zbulohen pa vështirësi të madhe, qoftë me metodat e zakonshme, por edhe me metodat ndihmëse me imuno-histokimi që të verifikohet gjeneza e tyre".

"Në patologji ne punojmë aq sa na japin klinikat raste. Për fat të keq një numër i pacientëve shkojnë në klinika private, pasi ne kemi një listë të gjatë të pritjes, ku pacientët duhet të pritesin deri në një muaj për rezultatin, gjë që është shumë për një tumor’’, ka theksuar Sopa.

Rezultati i analizës për sëmundjen e kancerit në këtë rast, sipas patologut, Ramadan Sopa kryhet brenda katër ditësh, por kjo nuk ndodhë në Institutin e Patologjisë për arsye të muingesës së stafit me përvojë.

‘’Në klinika private i kryejnë për katër ditë. Janë mjekë me përvojë dhe mundësia është më e shpejtë. Te ne për shkak të fluksit të madh kryhen më ngadalë dhe kemi mjekë të rinj me nga dy tre vjet përvojë pune dhe ata kanë nevojë për konsulta. Kjo punë dëshiron përkushtim më të madh. Tek ne rezultatet kërkojnë kohë deri në një muaj. Ideja është që të punohet më shumë. E mjekët thonë se duhet studim më i madh, duhet kohë, konsultim e kështu me radhë‘’, ka thënë Sopa.

Sidoqoftë në Kosovë gjatë vitit 2015, janë paraqitur gjithsej 808 raste të reja me sëmundjen e kancerit në Institutin Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.