Drejtoria Kundër Terrorizmit e Policisë së Kosovës ka realizuar dy operacione në lokacione të ndryshme të vendit, duke arrestuar dy persona nën dyshimet për rekrutim dhe financim të terrorizmit.
Operacioni i kryer në rjaonin e Prishtinës dhe Pejës ka të bëjë me zbatimin e urdhër-kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj objekteve të banimit dhe bizneseve të personit F. R.
“I dyshuari F. R. në vazhdimësi ka vënë në dispozicion bizneset e tij, me qëllim të përkrahjes dhe mbështetjes financiare dhe logjistike të personave që janë të përfshirë në organizim dhe rekrutim për terrorizëm, duke përfshirë edhe persona të cilët njihen për përhapjen e ideologjisë ekstremiste në tërë Kosovën, si dhe persona të cilët kanë udhëtuar apo kanë tentuar të udhëtojnë për në zonën e konfliktit”, thuhet në komunikatën e policisë.
“Shumë persona të cilët i dyshuari F. R. në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet personave tjerë i ka mbështetur në aspektin financiar dhe logjistik, janë arrestuar për vepra penale nga kapitulli i XIV i KPK-së, përkatësisht veprave penale kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, disa prej tyre aktualisht gjenden në zonën e konfliktit në Siri dhe Irak, ndërsa një numër i tyre, duke përfshirë edhe disa persona që kanë qenë të punësuar në bizneset e tij, janë raportuar të vrarë në zonën e konfliktit”, vijon komunikata.
I dyshuari F.R. akuzohet për rekrutim për terrorizëm, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist dhe lehtësim në kryerjen e terrorizmit. Të gjitha këto vepra janë të dënueshme me ligjet e Kosovës.
Operacioni tjetër ka ndodhur në rajonin e Prizrenit, ndaj të dyshuarit P. D., nën dyshimin se i njëjti është i përfshirë në ‘financim apo lehtësim të terrorizmit’, sanksionuar sipas Ligjit.
“I dyshuari P. D. së paku në një rast ka financuar dy persona me qëllim të pjesëmarrjes në grup terrorist, përkatësisht në konflikt jashtë vendit, vepër e ngelur në tentativë, pasi që të njëjtit janë ndaluar nga Drejtoria Kundër Terrorizmit në muajin dhjetor 2015 në tentativë që të udhëtojnë për në zonën e konfliktit”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi luftën kundër terrorizmit në botë gjatë vitit 2014, Kosova është vlerësuar si një vend me kërcënim në rritje nga ekstremizmi islamik.
Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, por edhe ata nga shoqëria civile, thonë se që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste në Siri dhe Irak, është rreth 300.
Megjithatë, sipas përfaqësuesve zyrtarë, në nëntë muajt e fundit "nga Kosova nuk është shënuar as një rast i shkuarjes në Siri për të luftuar për grupin militant Shtetit Islamik”.