Qeveria inicion hartimin e Projektligjit për Trepçën

Miniera e Trepçës

Qeveria e Kosovës, ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit për hartimin e Projektligjit për Trepçën.

Më këtë rast kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se këtij komisioni i është dhënë detyrë që në afatin optimal t’i paraqes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik projektligjin në mënyrë që deri në mesin e këtij viti, të procedohet në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës pwr miratim.

“Kemi biseduar edhe me sindikatat, kemi biseduar me udhëheqjen e Trepçës, kemi biseduar me profesionistët e ndryshëm që e njohin këtë fushë dhe besoj plotësisht që Qeveria me kohë do të përfundoj ligjin për Trepçën dhe se minatorët e Trepçës do të jenë të kënaqur me zgjidhjen të cilën do ta bëjmë”, ka deklaruar Mustafa.

Kryeministri i Kosovës e ka mohuar mundësinë që për Trepçën të negociohet në dialogun e Brukselit me Beogradin.

Kombinati “Trepça” gjendet në Mitrovicë dhe është nën moratoriumin e vendosur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit është administrator i saj.