Megjithëqë zgjedhjet për presidentin e Shteteve të Bashkuara mbahen më 8 nëntor, sezoni i fushatës tashmë është në valën e saj të plotë, derisa kandidatët republikanë dhe ata demokratë zhvillojnë betejë të ashpër për nominimin partiak.
Presidenti aktual, Barack Obama, anëtar i Partisë Demokratike, është zgjedhur president në vitin 2008 dhe rizgjedhur në vitin 2014, dhe sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, duhet të tërhiqet pas dy mandateve në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo do të thotë se dy partitë kryesore amerikane, ajo demokrate dhe republikane, do ta përzgjedhin kandidatin, i cili do të garojë më 8 nëntor. Por, për zgjedhjet më 8 nëntor mund të paraqitet edhe një ose më tepër kandidatë të pavarur, por ata zakonisht nuk kanë gjasë për fitore përfundimtare.
Si i zgjedhin partitë kandidatët e tyre?
Prej muajit shkurt e deri në qershor, secili shtet dhe territor në Shtetet e Bashkuara, voton për kandidatët republikanë dhe demokratë, që garojnë për nominim.
Këto votime specifike partiake shpeshherë përshkruhen si “paraprake”, megjithëqë shprehja, në njëfarë mënyre, nuk i korrespondon asaj që ndodh realisht.
Shumica e shteteve mbajnë gara paraprake, në të cilat njerëzit votojnë për kandidatin e tyre të preferuar. Por, disa shtete, si Ajova, i mbajnë të ashtuquajturat “caucus” që esencialisht është takim partiak për të debatuar dhe vendosur për kandidatin.
Gara zgjedhore prej shtetit në shtet i detyron kandidatët të udhëtojnë mijëra kilometra dhe të bisedojnë me votuesit e zakonshëm për ta përhapur mesazhin e tyre politik.
Gjatë ditëve dhe javëve para votimeve, kandidatët dhe armatat e tyre të vullnetarëve, e vizitojnë pothuajse secilin shtet për të takuar sa më tepër votues, në takime formale dhe joformale. Pastaj, organizohen tubime të mëdha në stadiumet e sportit dhe vizita familjare në shtëpitë e zgjedhësve.
Kandidatët, po ashtu, zakonisht ndalen në restorantet lokale për t’u përshëndetur me njerëzit që ndodhen aty dhe fotografohen së bashku me ta. Madje, ndodh që ata të shkojnë shtëpi më shtëpi, për të kërkuar votën e tyre.
Proces rraskapitës zgjedhor
Ky është një proces rraskapitës. Prej 30 kandidatëve të paraqitur vitin e kaluar, në Partinë Republikane kanë mbetur 11 sosh.
Në Partinë Demokratike kanë mbetur vetëm tre kandidatë nga gjashtë sa ishin vitin e kaluar.
Nga rezultatet në secilin shtet përcaktohet se sa delegatë shtetëror do ta mbështesin një kandidat të veçantw në Konventat kombëtare të partive për nominim, që planifikohen të mbahen në muajin korrik.
Në gjithë Shtetet e Bashkuara, kandidatët republikanë mund të fitojnë gjithsej 2,472 delegatë. Një kandidat duhet ta fitojw shumicën (në këtë rast 1,237) për ta siguruar nominimin partiak.
Kandidati demokrat duhet ta ketë mbështetjen e 2,383 prej gjithsej 4,764 delegatëve, në konventën e korrikut.
Ajova – shteti i parë i procesit nominues
Të dy partitë, procesin e nominimit e kanë filluar më 1 shkurt në Ajova, ku demokratët dhe republikanët i mbajnë këshillat partiakë ndaras, në afro 1,700 zona.
Pas këshillave partiakë zgjedhorë në Ajova janë mbajtur zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër (9 shkurt) dhe në Karolinën Jugore (20 shkurt), ndërsa në Nevada kanë vepruar këshillat partiakë (23 shkurt).
Më 1 mars është mbajtur e ashtuquajtura Super e Martë, ku disa shtete në mënyrë simultane i mbajnë zgjedhjet partiake. Këtë vit, 14 shtete dhe një territor i kanë mbajtur votimet e tilla. I gjithë ky proces zgjedhor partiak duhet të mbahet deri në mes të muajit qershor.
Konventat partiake kombëtare të demokratëve dhe republikanëve mbahen në fund të verës.
Partia Republikane takohet në Klivlend, më 18 korrik, ndërsa demokratët në Filadelfia, më 25 korrik. Në konventë, përfundimisht, partia e mbështetë kandidatin e saj për president.
Sezoni i fushatës - periudha përfundimtare
Pasi secila parti zyrtarisht e nominon kandidatin e saj, atëherë mbeten afro tre muaj deri në Ditën e Zgjedhjeve. Gjatë kësaj kohe kandidatët kalojnë nëpër secilën pjesë të vendit për t’u takuar me votuesit, për të mbajtur fjalime me shpresë për ta konsoliduar mbështetjen brenda partisë dhe, eventualisht, për t’i fituar votuesit e tjerë të jashtëm. Shpalljet politike dhe reklamat i vërshojnë radiot dhe televizionet.
Parashihet edhe mbajtja e disa debateve televizive kombëtare, në të cilat kandidatët, kryesisht nga partia republikane dhe ajo demokrate, por ndonjëherë mund të ketë edhe ndonjë kandidat të pavarur - për herë të fundit kjo ka ndodhur në vitin 1992 – ballafaqohen me njëri-tjetrin dhe përgjigjen në pyetjet e moderatorit.
Përfundimisht, ditën e martë, që vjen pas të hënës së parë në nëntor, amerikanët votojnë për president.
Faktori Kolegji Elektoral
Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk zgjidhet nga vota popullore, por nga votat e asaj që njihet si Kolegj Elektoral, i cili përbëhet nga 538 “zgjedhës” individual presidencial. Për të fituar në zgjedhje, kandidati duhet t’i ketë së paku 270 vota të këtij kolegji.
Secili shtet e ka të fiksuar numrin e anëtarëve të Këshillit Elektoral dhe është i barabartë me numrin e anëtarëve të zgjedhur të shtetit në Kongres. Ky numër është i bazuar në madhësinë e popullatës. Në Kaliforninë e banuar në mënyrë të dendur, për shembull 55 legjislatorë e përfaqësojnë shtetin në Kongres. Pra, Kalifornia i ka, po ashtu, 55 vetë në Kolegjin Elektoral.
Nga ana tjetër, Alaska me popullatë të vogël i ka vetëm tre legjislatorë në Kongres dhe rrjedhimisht tre anëtarë në Kolegjin Elektoral.
Por, ka ndodhur që Kolegji Elektoral të jetë kundërthënës pasi mund ta zgjedhë kandidatin, që e ka humbur votën popullore.
Kjo ka ndodhur në vitin 2000 kur kandidati demokrat, Al Gore, ka fituar më shumë vota, por në Kolegjin Elektoral nuk e fitoi shumicën.
Atë vit, president u shpall, George W. Bush, me 271 vota të Kolegjit Elektoral, derisa Gore i kishte vetëm 266. Kjo kundërthënie ka ndodhur edhe dy herë në shekullin e XIX.
Presidenti që do të zgjidhet më 8 nëntor, e fillon detyrën më 20 janar të vitit 2017 dhe do të jetë presidenti i 46 në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Përgatiti: Fatmir Bujupi