Kur lodrat nga mbeturinat gëzojnë fëmijët...

Your browser doesn’t support HTML5

Kur lodrat nga mbeturinat gëzojnë fëmijët...

Eltoni, shtatëvjeçar, fëmija i tretë i familjes Zuka nga Prishtina, gëzohet tej mase kur babai i tij, Skënderi 41 vjeç, i sjell lodra, të cilat i gjen në kontejnerët e mbeturinave në Prishtinë.

Eltoni nuk e di se nga vijnë lodrat, madje vazhdimisht kërkon që të “blejë” prapë lodra të llojeve tjera, tregon babai i tij.

Familja pesë anëtarëshe Zuka, jeton me asistencë sociale prej 90 eurosh në muaj, jo larg qendrës së Prishtinës. Që nga viti 2000, kjo familje jeton në një shtëpi të huaj, shumë të vjetër dhe e cila posedon vetëm një dhomë.

Kryefamiljari Skënderi, është i papunë dhe për çdo ditë del nëpër qytet që të mbledhë hekurishte për t’i shitur pastaj, në mënyrë që të sigurojë ushqim për familjen e tij.

Ai e ndien veten shumë keq përballë kërkesave të fëmijëve, të moshave 7, 12 dhe 14 vjeç.

Gjatë vizitës që i bëmë ne kësaj familjeje, fëmijët ngurruan të qëndrojnë aty. Ata ngurrojnë dhe druajnë nga publikimi i fytyrave, ngaqë nuk duan që shokët e tyre ta marrin vesh se ku dhe në çfarë kushtesh jetojnë.

“Mbledh hekura dhe i shes në mënyrë që të siguroj ushqimin e fëmijëve. Sot, deri më tash nuk kam gjetur asgjë, duhet të dal prapë. Madje, në bërllog gjej edhe rroba dhe lodra për fëmijë. Ata gëzohen kur i sjell, sepse nuk e dinë ku i marr”, tregon Skënderi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, zonja e shtëpisë, Remzia, e cila pastronte enët në oborr në një tavolinë të improvizuar, tregon për vështirësitë e një nëne të tre fëmijëve në kushte të mjerueshme.

Ajo tregon se dhoma ku përgatit ushqimin, shërben edhe si dhomë gjumi dhe është shumë e vjetër.

Reshjet e shiut dhe borës, po ashtu paraqesin problem për këtë familje, ngaqë lagështia depërton në dhomën e vetme të tyre.

Por, me gjithë vështirësitë tjera, problemi kryesor është kur ajo fillon të përgatisë ushqim, pasi përballet me mungesën produkteve më elementare.

“Këtë hapësirë e përdorim si dhomë të ditës dhe gjumit, ujë nuk kemi fare brenda, hapësirën për të pastruar enët, banjën dhe tualetin e kemi jashtë në oborr. Por, problem është, sepse kur bie shi dhe borë, uji depërton brenda, vazhdimisht vendosim kova. Frikohem se rrëzohet shtëpia, pasi nuk ka shtylla të betonit”.

“Jeta është më e vështirë, sidomos kur fëmijët kërkojnë gjësende që kanë shokët e tyre në shkollë. Nuk di qysh po ia dal, ata kërkojnë teknologji si shokët e vet, e unë nuk kam as ushqim për t’u përgatitur” shprehet Remzia.

Nuk është vetëm familja Zuka, që jeton me ndihma sociale. Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në këto skema janë të përfshira afër 26 mijë familje me mbi 107 mijë anëtarë.

Muhamet Gjocaj, udhëheqës i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tregon shumën që familjet marrin pas rritjes për 25 për qind të asistencës sociale.

Ai thotë se vlera e asistencës sociale për një familje më një anëtar fillon nga 50 euro, nga 40 euro sa ka qenë më herët, kurse familja me 15 anëtarë gëzon 150 euro në muaj.

“Nëse i referohemi kësaj, rezulton se grupmoshat më të mëdha në asistencë sociale, me 45 për qind janë fëmijë nga 0- 18 vjet. Pastaj vijnë grupmoshat tjera 19-25 vjeç, janë 12 për qind, 26-35 vjeç po ashtu 12 për qind dhe 36 - 45 janë 15 për qind, kurse kategoritë tjera janë në përqindje më të vogël”, shpjegon Gjocaj për Radion Evropa a Lirë.

Rreth 29 për qind e familjeve të përfshira në asistencë sociale, thuhet se jetojnë në varfëri, kurse rreth 12 për qind jetojnë në varfëri ekstreme, që jetojnë me më pak se 1.50 euro në ditë.

Këto të dhëna, thotë Gjocaj, janë të Bankës Botërore të vitit 2013, pasi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale deri më tani nuk ka bërë ndonjë hulumtim rreth kësaj çështjeje.

E, nga hulumtimet e bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, ishte theksuar se vlera e asistencës sociale për një muaj nuk përshtatet me nevojat e familjeve në bazë të madhësisë apo strukturës së tyre.

Shqetësimin për nivelin e varfërisë e shprehin ekspertë për çështje ekonomike dhe sociologë.

Profesori i menaxhmentit në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, për Radion Evropa e Lirë, thotë se trendi i varfërisë në Kosovë ka filluar të rritet me ritëm të shpejtë.

Ai konsideron se 18 për qind e popullatës jeton me mungesë të produkteve elementare për ushqim. Kurse, 30 për qind e popullatës jetojnë në varfëri tëmoderuar.

Qeveria e Kosovës, ndërkaq, thotë ai, po paraqitet e verbër dhe e shurdhër para këtij realiteti.

“Qeveria duhet të investojë në fushën e agrobiznesit, aty do të ishte një favor jashtëzakonisht i lartë i ngritjes së punësimit, rrjedhimisht uljes së varfërisë. Element i dytë është zvogëlimi i ekonomisë joformale, duhet të funksionojë ligji, të paguhen tatimet dhe kontributet për personin, i cili punon. Të ngrihet mesatarja për kokë banori, të aktivizohen pasuritë mbitokësore dhe nëntokësore të Kosovës, të cilat janë duke u shkatërruar”, vlerëson Tahiri.

Sociologët, ndërkaq, konsiderojnë se që nga përfundimi i luftës termi varfëri ka qenë term që ka preokupuar shoqërinë kosovare.

Fadil Maloku, profesor nëDepartamentin e Sociologjisë në Fakultetin e Filologjisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se varfëria është produkt i privatizimit të gabuar të ndërmarrjeve shoqërore.

Ai, madje, vlerëson se shifrat e varfërisë janë të mëdha, po këto po minimizohen nga elita politike.

“Kjo është një situatë dhe gjendje alarmante për shoqërinë e sidomos për Qeverinë, e cila duhet të krijojë parakusht dhe platformë ekzekutive për ta zbutur këtë fenomen, i cili në rajon është unik. Si i tillë ky trend nuk është duke u zvogëluar, por duke u thelluar dhe si pasojë e kësaj, unë frikohem se mund të ketë edhe revolta të qytetarëve”, vlerëson profesor Maloku.

Ai thotë se në Kosovë janë thelluar dallimet në shtresa. Sipas tij, nuk ekziston shtresa e mesme, por vetëm shtresa e pasur dhe e varfër.

“Në Kosovë, dalin absurde të llojit të vet. Ekziston një shtresë shumë e pasur, e që është më tragjike, e që është unike në shkencat sociologjike se kjo shtresë, apo ky ‘kapitalizëm grabitqar’ është produkt i monopolit që e ka në politikë”, thekson Maloku.

Qeveria dhe Presidenca e Kosovës ishin zotuar se në vitin 2015 do të përmbushnin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë, e ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë.

Por , për ta zvogëluar papunësinë dhe varfërinë, ekonomistë të Bankës Botërore në Kosovë, kanë thënë se vendit i duhet rritje ekonomike mbi 8 për qind për një periudhë 10-vjeçare.