Mospagesa për orët e kujdestarisë ka shtyrë mjekët specializantë që nga dita e premte të kërcënojnë me bojkotimin e punës. Përfaqësuesit e tyre thonë se nuk janë paguar dy muajt e fundit për punën që po bëjnë.
Fisnik Veliu, specializant i kardiologjisë, thotë se bojkotimi i punës tashmë mund të konsiderohet se ka filluar.
“Bojkoti i punës tashmë ka filluar, pasi që nuk kemi njoftim nga Ministria e Shëndetësisë, ndonëse është e informuar që një muaj. Zyrtarë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar kanë thënë se do të paguajnë për dy muaj kujdestari të mjekëve specializantë, ndonëse ne kemi kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë”, shpjegon Veliu.
Rreth 30 për qind e specializantëve paguhen në formë të rregullt me paga nga Ministria e Shëndetësisë, përderisa numri total i specializantëve është rreth 500.
Faik Hoti, drejtor i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërcënimet me bojkot të punës nuk janë zgjidhje.
Sipas tij, Ministria po hulumton të gjitha mundësitë që të kryhet pagesa.
Gjendja aktuale, nënvizon ai, është rrjedhojë e mungesës së parave të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, meqë Ministria e Shëndetësisë, sipas Hotit, ia ka transferuar buxhetin atij.
“Dy vjetët e fundit, kujdestaritë për specializantët i ka paguar Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës. Kemi informacione që pagesa u është ndërprerë dhe kjo është bërë për shkak të mungesës së buxhetit. Dy muaj të kujdestarisë do të paguhen, pasi që të shqyrtohet mundësia se si të bëhet një gjë e tillë”, thotë Hoti.
Ai shpjegon arsyet se përse specializantët kërkojnë përgjegjësi nga Ministria e Shëndetësisë:
“Kur janë lidhur kontratat për pagesat e mjekëve specializantë, ato janë bërë me Ministrinë e Shëndetësisë. Më pas, buxheti ka kaluar në Shërbimin Klinik Universitar të Kosovës. Por, tashmë është bërë zakon që për çfarëdo problemi, zgjidhja të kërkohet në Ministrinë e Shëndetësisë”.
Në anën tjetër, Fisnik Veliu thotë se, ndonëse është premtuar nga ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, se pagesat do të kryhen, specizalizantët kërkojnë që konfirmimi të bëhet me shkrim.
“Ministrin e Shëndetësisë, zotin Rrahmani, e kemi takuar dhe ai ka premtuar në mënyrë gojore se do të kompensohemi me të holla. Ne po kërkojmë me shkrim një gjë të tillë. Ne nuk po kërkojmë që sot të bëhet pagesa, por po kërkojmë sqarimin me shkrim dhe detajimin e pagesës për orët e kujdestarisë”, thotë Veliu, specializant.
Mjekët specializantë në Kosovë janë të ndarë në tri kategori.
Kategoria A paguhet nga Ministria e Shëndetësisë për studimet specialistike, për aq sa është i paraparë programi specialistik. Kjo kategori është zgjedhur me performanca më të suksesshme gjatë testimit. Por, jo edhe kategoria B dhe C paguhen në formë page.