Shqipëri: S'ka hapje kufijsh, por as ngritje muresh

Kufiri ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë

Qeveria shqiptare është angazhuar përpara Bashkimit Evopian, për marrje të plota të përgjegjësive për situatën e krijuar të refugjatëve nga zonat e konfliktit, por kjo situatë është sfidë e Bashkimit Evropian.

Këtë bëri me dije kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Federica Mogherini, përfaqësuesen e lartë të BE-së.

“Shqipëria është një vend i vogël, por asnjëherë nuk i ka bërë bisht përgjegjësisë së vet me partnerët tanë. Jemi besnikë të vlerave dhe parimeve të Evropës; ne nuk do të hapim kufijtë, por nuk do të ngrejmë as mure. Jemi të gatshëm të marrim përgjegjësinë brenda një plani europian".

"Kjo është një sfidë evropiane, nuk është sfida e Greqisë, as e Italisë dhe aq më pak e Shqipërisë. Është sfidë e BE-së dhe brenda kësaj jemi edhe ne”, nënvizoi kryeministri Edi Rama, pas takimit me shefen e diplomacisë evropiane Federica Mogherini.

Pak ditë më parë Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha deklaroi se Shqipëria është e gatshme të presë refugjatë. Edhe Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka deklaruar se Shqipëria do të presë aq refugjatë sa ka mundësi.

Ndërkohë burime mediatike në Tiranë bëjnë me dije se qeveria shqiptare është bërë gati për bllokimin e refugjatëve në pikat e Kapshticës dhe Kakavijës, andej nga ku pritet të jetë edhe fluksi më i madh.

Mediat italiane dhe ato greke ndërkaq, kanë shkruar se trafikantët shqiptarë po bëjnë gati rrjetet e trafikut dhe mjetet e duhura motorike për dërgimin e emigrantëve në Itali përmes qyteti bregdetar të Vlorës.

Situata e bllokuar në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, ka sjellë në vëmendje Shqipërinë, si rrugë kalimi drejt Evropës Perëndimore, për refugjatët e ikur nga zonat e luftës në Siri apo Irak.