Daniella Cheslow
Rreth 4,000 migrantë kanë arritur në ishullin Lesbos të Greqisë vetëm fundjavën e fundit. Si qytet i 90,000 banorëve, Lesbos ka qenë pika kryesore e tranzitit në Evropë për rreth 1 milion migrantë që kanë arritur nga Turqia në Greqi, përmes Detit Mesdhe.
Në dy javët e fundit, Maqedonia, vend tranzit drejt Evropës, ka mbyllur kufijtë e saj me Greqinë për të gjithë, pos për sirianët dhe irakianët.
Në Lesbos tani ka konfuzion, nëse ishulli do të shndërrohet në kamp për njerëzit e bllokuar.
Përveç sirianëve që ikin nga lufta, migrantët përfshijnë edhe irakianë, afganë, somalezë, eritreas e madje edhe tibetianë.
Marios Antriotis, zëdhënës i kryetarit të kryeqytetit Mytilini, thotë se 3,000 refugjatë dhe migrantë kanë qenë në ishull më 29 shkurt.
“Tani për tani, jemi në situatë të mirë, jemi të përgatitur. Por, askush nuk mund të na sigurojë se nesër nuk do t’i kemi 5,000 ose 6,000 veta. Kontrabanduesit vendosin”, thotë ai.
Bllokada në Lesbos ringjall kujtimet e vjeshtës së kaluar, kur migrantët kanë mbipopulluar ishullin, i cili, ashtu sikurse pjesa tjetër e Greqisë, po rimëkëmbej nga kriza ekonomike.
Kriza me migrantë tashmë ka asgjësuar turizmin, që është motori i dytë më i madh ekonomik në ishull. Rreth tri të katërtat e fluturimeve çarter në Lesbos janë anuluar për sezonin e verës.
Lesbos mbetet i qetë, krahasuar me pjesën kontinentale të Greqisë, ku migrantët janë përleshur me policinë kufitare të Maqedonisë dhe kanë ngritur kampe në portin e trageteve të Athinës. Për të parandaluar probleme të tjera, më 26 shkurt, Ministria Detare e Greqisë ka kufizuar anijet e posaçme që kanë transportuar migrantë në pjesën kontinentale.
Agjenti i udhëtimeve, Tony Picolo, thotë se anija e kompanisë së tij, me 2,500 vende, është ankoruar në portin e Mytilinit qysh në fundjavë. Ai thotë se qeveria ka bileta të kufizuara edhe për anijet tregtare.
Zëdhënësi i Komisionit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Boris Cheshirkov, thotë se në Lesbos kanë arritur më shumë njerëz në dy muajt e parë të vitit 2016, sesa në gjithë pjesën e parë të vitit të kaluar. Sipas tij, atje kanë zbarkuar tashmë 60,000 veta.
Vendet evropiane kanë akuzuar Greqinë për mosforcim të kufijve të saj detarë. Por, Greqia është përshkuar nga numrat dhe ndjenja e detyrimit moral.
“Shoh njerëz që vijnë nga deti, që kërkojnë liri, që kërkojnë një vend ku nuk bien bomba. Ndjej keqardhje për ta”, thotë Emmanuel Pantermos, 27 vjeç, banor në Lesbos.
Por, pavarësisht ndjeshmërisë së tillë, Greqia, për të frenuar valën e migrantëve, më 28 shkurt, i ka klasifikuar të ardhurit pakistanezë si migrantë ekonomikë, që nuk kanë të drejtë për azil.
Qasim Mohammed, 21 vjeç nga Pakistani, i cili ka arritur në Lesbos, këmbëngul se nuk ndjehet i lirë në vendin e tij.
“Atje ka terroristë gjithandej. Nuk jemi të sigurt. Zoti do të na ndihmojë”, thotë ai.
Alireza Hosseini, 25 vjeç nga Irani, ka kaluar detin në mes të shkurtit, për t’i shpëtuar, siç thotë ai, regjimit shtypës. Ai thotë se policia në Iran ia ka prerë gishtërinjtë si ndëshkim që ka bërë tatu dhe ka pirë alkool. Alireza ndan një çadër së bashku me tre iranianë të tjerë.
“Do të qëndrojmë dhe do të presim derisa të hapet kufiri. Ndoshta një vit, ndoshta dy. Nuk do të kthehemi kurrë në Iran”, thotë ai.
Ditëve të fundit, disa mijëra njerëz janë bartur nga ishulli Lesbos për në Athinë. Por, për ata që arrijnë në kryeqytetin grek, ditët e ardhshme mund të jenë të zymta. Edhe sirianët dhe irakianët që kanë bërë përpjekje të kalojnë në Maqedoni, kanë raportuar për pritje të gjata, në mot me shi dhe strehim të pamjaftueshëm.
“Ne, populli sirian, kemi qenë një shoqëri e madhe, por gjithçka është shkatërruar. Tani, ikim në Evropë dhe nga të gjitha këto vende trajtohemi si kafshë”, thotë Daoud Daoud, 20 vjeç nga Siria, i cili ka arritur në ishullin Lesbos të Greqisë. (v.tela)