Reciprociteti me Serbinë, i pashmangshëm

Ilustrim

Autoritetet e Serbisë nuk po i përmbahen Marrëveshjes për tregti të lirë me vendet e rajonit, (CEFTA), por as marrëveshjeve të arritura për këtë çështje në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar në Bruksel.

Serbia, në disa raste, e sidomos pas vitit 2008, ka paraqitur barriera tregtare, për prodhuesit apo importuesit e Kosovës, pohojnë zyrtarë të Qeverisë dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, së fundi ka arritur t’i identifikojë dy barriera që autoritetet serbe po u shkaktojnë importuesve gjatë kalimit transit, por edhe prodhueseve nga Kosova gjatë eksportit për në Serbi.

Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin për Tregti në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, tregon se autoritetet serbe kanë kërkuar nga prodhuesit kosovarë që si vend i prodhimit të produkteve të shkruhet në gjuhën serbe “Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë”, kërkesë kjo e papranueshme për autoritetet kosovare.

Këtë kërkesë të autoriteteve serbe, për Radion Evropa e Lirë, ditë më parë e patën konfirmuar edhe pronarë të kompanisë së prodhimit të lëngjeve “Fluidi”, të cilëve u ishte ndaluar hyrja e mauneve në territorin e Serbisë.

Problemi tjetër, sipas Dërvishollit, është pengesa që po i bëhet importit të produkteve të gazit.

Ajo tregon për Radion Evropa e Lirë se për zgjidhjen e këtij problemi, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke përdorur format e dialogut dhe nëse autoritetet serbe nuk ndërmarrin ndonjë zgjidhje, atëherë masa e reciprocitet mbetet alternativa e vetme.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është duke përdorur metodat e dialogut. Gjithashtu kemi njoftuar edhe palën serbe, përmes mekanizmave tandem, respektivisht përmes mekanizimit të CEFTA-s”.

“Gjithashtu edhe nëpërmjet ministres për Dialog( Edita Tahiri), ku në bazë të informatave që kemi, si MTI, në takimin e Brukselit që është zhvilluar në këtë javë, është ngritur edhe kjo çështje. Kështu që po presim të gjendet një zgjidhje përmes kanaleve diplomatike. Por, nëse të gjitha këto mundësi shteren, atëherë opsioni i fundit janë masat reciproke ndaj shtetit serb”, deklaron Dervisholli.

Veprimet e autoriteteve serbe karshi prodhimeve nga Kosova, për ekspertë të çështjeve ekonomike, janë shkelje të marrëveshjeve për tregti të lirë.

Flamur Keqa, njohës i kësaj çështje, pohon se Serbia, me këto kërkesa, po mundohet ta pengojë zhvillimin e prodhuesve, rrjedhimisht ekonominë dhe buxhetin e Kosovës. Ai thotë se autoritetet e Kosovës duhet të zbatojnë masa reciprociteti.

“Institucionet e Kosovës, konkretisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, duhet të jenë më parimore dhe më këmbëngulëse, që nëse Serbia vendos këso lloji barrierash, atëherë duhet të ndërmerren masa reciproke, masa këto të rregulluara edhe me ligjet në fuqi në Kosovë”, vlerëson Keqa.

Ndërkaq, Sytrime Dervisholli thotë se përveç ankesave të fundit, problem i vazhdueshëm me shtetin e Serbisë paraqitet kalimi transit i importuesve nëpër këtë territor.

“Është problem permanent afatgjatë, që paraqitet çdo vit. Prandaj, më tepër se çështje tregtare, konsideroj se janë çështje të natyrës politike dhe për këtë po mundohemi që nëpërmjet zyrtarëve të lartë shtetëror të nivelit politik, të zgjidhen këto probleme që aktualisht Serbia po i paraqet palës kosovare në tregti dypalëshe”, thekson Dervisholli.

Në vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për tri vjet radhazi Serbia nuk kishte lejuar produktet kosovare të hyjnë në tregun e saj.

Kurse, në vitin 2011, si masë reciprociteti autoritetet kosovare kishin bllokuar produktet e Serbisë.