Prokurimi publik në Kosovë si fusha më e korruptuar dhe administrata publike e politizuar, kanë shkaktuar pasoja të mëdha në zhvillimin e vendit, vlerësojnë përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e interesave të bizneseve në Kosovë.
Këto dy fusha, të cilat vazhdimisht janë cilësuar si të korruptuara dhe të politizuara edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare, thuhet të mbeten sfida të mëdha për vendin.
Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se mosfunksionimi dhe mosllogaridhënia e institucioneve në veçanti administratës publike, ka penguar shumë procese të rëndësishme në vend.
“Një nga problemet më të mëdha është politizimi i organeve të pavarura, pra bordet e ndërmarrjeve publike. Këto borde janë politizuar. Zgjedhja e drejtorëve të bordeve duhet të ndodh në mënyrë transparente, konform ligjeve në Kosovë, pasi që vendi duhet të ndërtohet me institucione kredibile".
“Ka kaluar koha e bordeve politike. Tani Kosova duhet të fokusohet në ndërtimin e një shteti modern ku funksionon administrata publike dhe ku ka llogaridhënie, dhe kjo mund të ndodh vetëm me depolitizimin e institucioneve në veçanti atyre organeve që janë të pavarura”, shton Balija.
Një ditë më parë, Agjencia Kundër Korrupsionit në Kosovës, sipas një komunikate për media, thuhet të ketë filluar procedurën e hetimeve paraprake lidhur me emërtimin e një numri të madh të drejtorëve në bordet e ndërmarrjeve publike, të bëra në kundërshtim me dispozitat e ligjit për ndërmarrjet.
Gjatë në një takimi që kryetari i Agjencisë Kundër Korrupsion Hasan Preteni ka zhvilluar me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel Zhbogar, sipas kësaj komunikate thuhet që ky i fundit ka shprehur besim se Qeveria e Kosovës do ta marrë seriozisht këtë opinion dhe do të zbatojë rekomandimet që jepen aty.
“Në përputhje me mandatin e tij, Bashkimi Evropian në Kosovë promovon emërimin e zyrtarëve shtetërorë në mënyrë transparente dhe të drejtë duke respektuar si duhet rregullat dhe procedurat ligjore”, citohet të ketë thënë Zhbogar.
Reformat që janë premtuar të ndodhin në administratën publike, sipas drejtorit ekzekutiv të Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija duhet të zbatohen, pasi që kjo do të reflektojë në rritjen ekonomike dhe në sundimin e ligjit në Kosovë.
“Funksionimi i mirë i administratës publike ka një rol të rëndësishëm edhe sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja në vendin tonë”, shton Balija.
Ndërkohë sa i përket fushës së prokurimit publik e cila po ashtu konsiderohet të jetë njëra nga fushat më të korruptuara në Kosovë, dhe e cila ka shkaktuar dëme të mëdha në ekonominë e Kosovës, Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se rezultatet në luftimin e kësaj dukurie mund të sjellë prokurimi elektronik i cili ka filluar së zbatuari së fundi.
“Ajo çka është më e rëndësishme janë prokurimet elektronike të cilat në njëfarë forme ndikojnë shumë në uljen e shkallës së korrupsionit tek autoritetet kontraktuese qendrore dhe duhet të priten efektet e këtij ligji pasi që vetëm sa ka filluar të zbatohet”, thotë Gashi.
Në anën tjetër, ditë më parë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka kërkuar që prokurimi publik të jetë sa më transparent, ngase kjo, sipas tij e bën më të vështirë dukurinë e vjedhjes.
Janë rreth 700 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.
Zbatimi i reformave të Ligjit të prokurimit publik ishte një ndër kriteret për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës, për në vendet e zonës Schengen të Bashkimit Evropian.