Zëvendësministri i Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Bajram Gecaj, ka konfirmuar se sot në mesditë, persona të panjohur i kanë vënë flakën veturës së gruas së tij.
"Vetura ka qenë në lagjen 'Pejton', pranë rezidencës së ambasadës britanike në Prishtinë, pasi që aty punon bashkëshortja ime", ka thënë Gecaj për Radion Evropa e Lirë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës përmes zëdhënëses Flora Ahmeti, e cila ka bërë me dije se bëhet fjalë për llojin e veturës Hyundai.
Ky është rasti i dytë i djegies së veturave në pronësi familjare të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, që ka ndodhur brenda 24 orëve.
Mbrëmë, persona të panjohur i kanë vënë flakën veturës që është në pronësi të gruas së ministrit të Bujqësisë, Memli Krasniqi.