Pentagoni do të paraqesë sot në Kongres një raport të shumëpritur për mbylljen e burgut amerikan në Guantanamo të Kubës.
“E dimë se afati është nesër dhe ne do ta përmbushim atë”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis, të hënën.
Burgu është hapur në vitin 2002, nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, George W. Bush, për njerëzit e kapur si robër lufte në Afganistan.
Të burgosurit janë quajtur “luftëtarë armiq” dhe u janë mohuar të drejtat ligjore që zbatohen për shtetasit amerikanë.
Shumica e tyre janë mbajtur me vite të tëra pa u akuzuar ose pa u gjykuar.
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka dashur të mbyllë burgun në Guantanamo prejse ka marrë zyrën, duke thënë se objekti shërben si mjet rekrutimi për ekstremistët islamikë.
Por, ai përballet me kundërshtim të ashpër në Kongres.
Vetëm 91 nga 780 të burgosur mbeten prapa hekurave.
Rreth 50 prej tyre konsiderohen si shumë të rrezikshëm.