Presindetja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka falënderuar qytetarët për, siç ka thënë, shënim të dinjitetshëm të përvjetorit të tetë të pavarësisë së shtetit.
“Sot në kryeqytetin tonë pati festë dhe protestë, të dyja pjesë të pandashme të demokracisë. Të gjithë e duam Kosovën dhe nuk duhet të ndalemi së festuari me krenari për rrugën që kaluam deri këtu, sikur që nuk duhet ndalur së punuari që Kosova të jetë vendi që e ëndërruam”, ka thënë Jahjaga përmes një postimi në Facebook.
Në Prishtinë janë mbajtur të mërkurën manifestime të ndryshme me rastin e tetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Nëpër sheshet kryesore të kryeqytetit, në orët e paradites, është bërë parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe i njësive të Policisë së Kosovës.
Në orët e pasdites, mijëra qytetarë i janë përgjigjur thirrjes së partive opozitare për protesta, duke bërë thirrje për rrëzimin e qeverisë.
Protesta ka kaluar e qetë dhe pa incidente.