Më shumë se 100.000 qytetarë të Republikës së Kosovës dolën sot në protestën e thirrur nga Opozita e Bashkuar, për shtet me sovranitet dhe kundër Qeverisë antikushtetuese, thuhet në një komunikatë për media, të shpërndarë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Protesta është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, në kërkim të dorëheqjes së qeverisë së Kosovës.
"Populli i Kosovës është ngritur në këmbë, masivisht, për t’i kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme për Kosovën, dhe për ta kundërshtuar këtë Qeveri që me cdo kusht po i shtyn këto marrëveshje përpara. Një Qeveri që e ka shkelur 23 herë Kushtetutën e vendit, nuk ka legjitimitet e as legalitet ta udhëheqë vendin", thuhet mes tjerash në komunikatën e subjekteve politike opozitare.
Fjala është për Marrëveshjen mbi ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe për atë mbi shenjimin e kufirit me Malin e Zi, të cilat opozita i ka cilësuar si të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës.
Autoritetet e rendit ende nuk kanë dale me informacione për numrin e pjesëmarrësve në protestën e sotme.