Obama: Lansimi i raketës nga Koreja V. nuk është befasi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se është i shqetësuar, por jo i befasuar me lansimin e raketës nga Koreja e Veriut, në fundjavë.

Obama ka thënë se administrata e tij është duke i bërë presion Kinës dhe duke punuar me Korenë e Jugut që të bllokojnë përpjekjet e Koresë së Veriut.

“Ky është një regjim autoritar. Është provokues. Ka shkelur vazhdimisht rezolutat e Kombeve të Bashkuara, ka testuar dhe prodhuar armë bërthamore dhe tani përpiqet të përsosë sistemin e lansimit të raketave”, ka thënë Obama.

Te dilën, Koreja e Veriut ka lansuar një raketë me rreze të gjatë vepromi, për të cilën ka thënë se ka bartur një satelit.

Ky veprim ka rritur frikën për aftësitë e saj bërthamore.

Zyrtarë amerikanë dhe ekspertë të mbrojtjes raketore kanë thënë se lansimi i fundit i raketës nga Koreva e Veriut mund të çojë në ndërtimin e sistemeve të mbrojtjes raketore në Azi.