Sfidat e integrimit të një homoseksuali në shoqëri

Video-spot për komunitetin LGBT në Kosovë

Video-spot për komunitetin LGBT në Kosovë

Jeta e një homoseksuali në kryeqytetin e Kosovës, nuk duket të jetë e lehtë.

Kjo për shkak të diskriminimit që i bëhet komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual e transgjinor) në përgjithësi.

Kështu thonë vetë pjesëtarët e këtij komuniteti, duke treguar se shoqëria, e edhe familja, i diskriminon në momentin kur tregojnë për orientimin e tyre seksual.

Ndryshe rreth 20 për qind e popullatës së përgjithshme në botë thuhet se kanë tendenca të orientimit homoseksual, lesbik, biseksual apo transgjinor.

Personi me inicialet N.N. në kushte anonimiteti, ka folur për Radion Evropa e Lirë për jetën e tij si homoseksual.

Ai flet sidomos për peripecitë që ka për t'u pranuar nga rrethi dhe shoqëria.

“Të jetosh në Prishtinë si homoseksual është shumë e vështirë. Në momentin që shoqëria e kupton orientimin seksual, largohen prej teje, e gjithashtu edhe familja ka tendencë të të largojë prej shtëpisë, e nuk ka më keq".

"Shumica e familjeve në Kosovë mendoj se ende janë tradicionale dhe nuk i pranojnë njerëzit si të tillë, pasi që gjithçka që është 'burrërore' çmohet më shumë, dhe është e vështirë të pranohen njerëzit me orientim të vetin seksual dhe nuk i respektojnë të drejtat e secilit".

"Unë mendoj se ne si popull jemi diskriminues, për çdo komunitet që ekziston, e aq më shumë për komunitetin LGBT. Kanë shumë stereotipe; mendojnë që të huajt (ndërkombëtarët) na e kanë sjellë këtë veti. LGBT diskriminohen edhe në rrugë, vetëm pse i shohin meshkujt që janë pak më të feminizuar. Gjithashtu diskriminohen në punë, në shkollë..", tha ai.

Ai bën edhe krahasimin me vitet paraprake për jetën e njerëzve me orientime të ndryshme seksuale.

"Po flas për periudhën e ndryshimeve ndër kohë, mendoj se ka ndryshime. Kohëve të fundit po flitet dhe po del në pah komuniteti, për dallim nga vitet paraprake që ka qenë temë tabu. Për ditën ndërkombëtare kundër homofobisë, janë organizuar dy marshe në Prishtinë, e nuk ka pasur asnjë aksident. Kjo është mirë pasi që po bëhet me dije që ky komunitet ekziston".

Por, çka mendojnë qytetarët e Prishtinës, për orientimet e ndryshme seksuale?

Zana Beqiri, rreth të 40-tave, mendon se pjesëtarët e këtij komuniteti duhet të shihen si pjesë e shoqërisë.

"Meqë është e drejtë njerëzore, dhe mendoj se ishte dashur të konsiderohet normale. Në Prishtinë nuk më duket se trajtohet aq mirë, meqë tek ne edhe fyerjet i kemi të rënda ndaj komunitetit, i quajmë me lloj-lloj emrash, i stigmatizojmë ndryshe-ndryshe".

"Ne universalisht i diskriminojmë njerëzit, sepse kjo vlen edhe për njerëzit që janë mbipeshë, nënpeshë, të shkurtër të gjatë".

Edhe Lulzimi, fotograf me profesion, nuk sheh ndonjë arsye pse LGBT duhet diferencuar nga pjesa tjetër e shoqërisë.

"Të gjithë janë njerëz. Nuk e di pse duhet me qenë komunitet. Si gjithë njerëzit, duhet të jetojnë edhe ata. Nuk e di pse konceptohen si komunitet. Jo që duhet të jetojnë të lirë, po ajo është e domosdoshme, në gjithë planetin".

Ndryshe ditën e hënë në orët e vona të mbrëmjes, është promovuar një video-spot, dedikuar komunitetit LGBT, për arsye të sensibilizimit të opinionit lidhur me të drejtat e këtij komuniteti.

Ideatori Shkumbin Tafilaj, shpjegon arsyet e këtij projekti.

"Besoj që ishte momenti për ta publikuar këtë video-spot. Grupe të caktuara janë shprehur me revoltë për aktivitetet e komunitetit LGBT në vendin tonë. Kjo ka qenë shumë inspiruese për ta trajtuar në një dimension tjetër, çfarë është dimensioni artistik".

"Ndihem i plotësuar pasi që një mesazh kaq të fuqishëm e sjell sot kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, dhe i drejtohet qytetarëve të rajonit, e pse jo edhe mbarë Evropës, që e ka një problematikë të tillë në konceptin e pranimit të komunitetit LGBT".

"Ideja qysh në fillim ndërlidhej me pozicionimin tim si tekst-shkrues, ku unë vazhdoj që me tekstet e mia për këngën të prek kauza të ndryshme sociale. Një prej tyre, e cila më ka bërë përshtypje është trajtimi i këtij komuniteti në vendin tonë dhe kam zgjedhur që përmes fjalës dhe interpretimit të përcjellë një mesazh i cili është i kapshëm për të gjithë", tha Tafilaj.

Sidoqoftë, për herë të parë në Prishtinë, më 17 Maj të vitit të kaluar është mbajtur një marsh simbolik kundër homofobisë, duke e shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë.

Ndryshe, organizatat që sigurojnë mbrojtje për pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë, thonë se institucionet publike duhet të kenë dhe zhvillojnë plane të veprimit për të promovuar respektin dhe integrimin e këtij komuniteti, nisur nga garancitë që janë dhënë për një gjë të këtillë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.