Bashkësia Fetare Islame ishte i vetmi institucion që me sinqeritet është duke e luftuar dukurinë e paraqitjes së predikimit të islamit radikal ose shfaqjes së lëvizjeve politiko- fetare nga Lindja e Mesme që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, është shprehur në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi.
Duke komentuar të dhënat se mbi 130 persona nga Maqedonia gjenden në luftërat në Siri dhe njëherësh deklaratën e fundit të kryetarit të shtetit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov se mbi 70 pjesëtarë të përfshirë në luftërat në Irak e Siri janë kthyer në Maqedoni, Rexhepi thotë se me këto dhëna, edhe pse ka kërkuar informacion nga organet kompetente, nuk është informuar deri më tani.
Rexhepi në këtë drejtim ka kërkuar bashkëpunim më të mirëfilltë mes institucionit ku vepron dhe institucioneve shtetërore, që të krijohet hapësirë për veprime preventive.
“Ne jemi të rezervuar se sa qytetarë të Maqedonisë janë të përfshirë në luftërat në Siri dhe Irak, ne kemi njohuri vetëm për ata, të cilët kanë qenë atje dhe janë vrarë dhe në këtë mënyrë kemi regjistruar 21 apo 22 raste. Kur një gjë të tillë e thotë njeriu i shtetit, sigurisht se ai mbështetet në të dhëna të regjistruara nga shërbime kompetente".
"Kur organet shtetërore kanë qenë të njoftuara se ku shkojnë këta njerëz, unë mendoj se në atë rast shteti ka pasur obligim që t'i pengojë. Unë nuk di se shteti ka penguar dikë në këtë drejtim. Ne, si Bashkësi Fetare Islame në Maqedoni, sikur të ishim të informuar për një gjë të tillë, atëherë do të bënim përpjekje me metodat tona legale dhe legjitime në kuadër të institucionit që drejtojmë, që t`i pengonim dhe t'i tërheqim nga ajo rrugë”, deklaron kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi.
Ai më pas sqaron se BFI (Bashkësia Fetare Islame), ka hartuar dhe një projekt që më vete ngërthen më shumë programe. Ky projekt, thotë Rexhepi, është mbështetur dhe nga shumë përfaqësi diplomatike të vendeve anëtare të BE-së në Maqedoni, por jo edhe nga organet kompetente shtetërore të Maqedonisë për riintegrimin e personave, të cilët do të ktheheshin nga viset e luftës dhe familjeve të tyre, pasi të kenë vuajtur dënimet e parapara me Ligjin që sanksionon përfshirjen e shtetasve të Maqedonisë në luftërat e huaja.
“Të gjithë ata, të cilët janë kthyer ose do të kthehen, nëse marrin dënimin maksimal të paraparë me ligj prej pesë vjetësh dhe nëse me ta nuk punohet në drejtim të riintegrimit, nuk punohet në frymën e rehabilitimit dhe riedukimit këta njerëz, pasi të vuajnë dënimin me burg, do të jenë edhe më të hutuar dhe njëherësh paraqesin rrezik për mjedisin ku jetojnë”, thotë Rexhepi, duke theksuar se BFI-ja dënon çdo bashkim të qytetarëve të Maqedonisë në luftërat që zhvillohen në vendet e Lindjes së Mesme, duke potencuar se Islami, në esencë, do të thotë paqe dhe dënon çdo lloj terrori dhe dhune.
Kryetari i BFI-së, Rexhepi, konsideron se kriza politike Maqedoni mund të përdoret për destabilizimin e vendit nga ana e qarqeve të caktuara:
“Destabilizimi politik mund të reflektojë në të gjitha sferat e shoqërisë. Ka shumë mundësi që të përkeqësohen marrëdhëniet ndëretnike, sepse të gjithë ata të cilët nuk ia duan të mirën Maqedonisë që të mbetet si shtet, e shfrytëzojnë rastin që këtë krizë politike ta konvertojnë si rast të volitshëm për realizimin e projekteve të tyre".
"Një nga ato projekte që mund të dëmtojë interesin tonë të përbashkët për të ardhmen e këtij shteti, është destabilizimi etnik, pra mendoj përkeqësimi i marrëdhënieve ndëretnike, por edhe më e keqja do të ishte përkeqësimi i raporteve ndërfetare në Maqedoni. Megjithëse, ne, si institucion, i cili është përgjegjës për jetën fetare islame, duhet të jemi autonom në politikat tona dhe të kontribuojmë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Republikën e Maqedonisë”.
Ai ngre shqetësim faktin se çështja e migrantëvenga Lindja e Mesme mund të përdoret si element destabilizues në Maqedoni nga ana e të gjithë atyre të cilët nuk janë të interesuar që sinqerisht të zgjidhet kriza politike në Maqedoni dhe institucionet e vendit të funksionojnë konform standardeve që vlejnë në vendet e zhvilluara demokratike.
“Pra, raportet për refugjatët që vijnë nga Siria, dhe vendet e tjera të krizës në Lindjen e Mesme mund të shkaktojnë trazira, sepse e shohim se kohëve të fundit ka një status krejtësisht tjetër për të depërtuar refugjatët në Maqedoni dhe më pas ata të drejtohen në vendet e tjera evropiane. Unë mendoj se në këtë drejtim shumë faktorë kanë përgjegjësi për ta përmirësuar gjendjen”, shton Rexhepi.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni thotë se organet shtetërore të Maqedonisë vazhdojnë të kenë qasje diskriminuese ndaj Bashkësisë Fetare Islame në shumë dimensione, siç është moskthimi i pronave të këtij institucioni në bazë të procesit të denacionalizimit, qasja e pabarabartë ndaj institucioneve arsimore fetare në aspektin financiar nga ana e shtetit etj.