Fati i fëmijëve të braktisur

Ilustrim

Gjatë vitit 2015, në Kosovë janë braktisur 46 fëmijë, ndërkaq gjatë muajit janar të këtij viti, nuk është raportuar asnjë rast i braktisjes së fëmijës, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, zyrtarja Magbule Koci, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Gjatë muajit janar nuk kemi marrë asnjë referencë për braktisje të fëmijës, kjo pasi që në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale , raportojnë Qendrat për punë sociale për secilin fëmijë që braktiset në bazë të afateve ligjore që janë të përcaktuara në dokumentet ligjore”, ka thënë Koci.

Bajram Kelmendi, shef i divizionit të shërbimeve sociale, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mbrojtja e fëmijëve pa përkujdesje prindërore, është mandat ligjor i Qendrës për Punë Sociale.

“Gjatë vitit 2015 janë paraqitur nga terreni 46 fëmijë të braktisur, pa përkujdesje prindërore. Prej tyre, 37 janë të braktisur menjëherë pas lindjes, derisa 9 fëmijë kanë mbetur pa përkujdesje prindërore për arsye të ndryshme, qoftë vdekje të prindërve ose të tjera”, ka bërë të ditur Kelmendi.

Ai ka treguar edhe numrin e fëmijëve që janë bartur nga viti i kaluar, si dhe për fatin e tyre:

“Janë edhe 96 fëmijë të braktisur që janë bartur nga viti 2014. 71 prej tyre janë në strehim familjar, 19 janë në SOS Kinderdorf. Ky është numri i përgjithshëm i fëmijëve pa përkujdesje prindërore, e që janë në mbrojtje të organit të kujdestarisë, Qendra për punë sociale në nivel komunal’’.

Ndërkaq, Ariana Shala, udhëheqëse e kujdesit alternativ në SOS fshatin e fëmijëve, projekt kypër strehim afatshkurtër dhe afatmesëm për fëmijët nevojtar, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, për programet e veçanta që u ofrohen fëmijëve të braktisur, në këtë institucion, derisa ka shtuar se janë 10 fëmijë të moshës 0 deri në 3 vjeç që aktualisht janë nën përkujdesje të këtij institucioni.

“SOS fshatrat e fëmijëve në Kosovë ofrojnë mbështetje për fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe fëmijët e braktisur, përmes programeve të caktuara. Në kuadër të SOS fshatrave të fëmijëve, ekziston kujdesi alternativ, i cili ofron përkujdesje për fëmijë të braktisur dhe fëmijë pa përkujdesje prindërore”.

“Në kujdesin alternativ kemi kujdesin afatshkurtër, i cili ofron përkujdesje për fëmijët e braktisur qysh në lindje, derisa këta fëmijë janë 0 deri në 3 vjet, ndërsa afati kohor i qëndrimit të tyre është 6 muaj deri në 1 vjet. SOS fshati ofron përkujdesje, ndërsa aspekti legjislativ i takon Qendrës për punë sociale”, ka shpjeguar Shala.

E, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Kosovë numri i fëmijëve të braktisur është më i vogël se kërkesat për adoptim.

Sidoqoftë, sipas legjislacionit të aplikueshëm nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, një fëmijë mund të adoptohet edhe jashtë Kosovës, në rast të konsumimit të të gjitha mundësive të adoptimit të fëmijës brenda Kosovës.

Për rëndësinë e adoptimit të fëmijës, flasin edhe psikologët e fëmijëve.​ Blerta Perolli ka thënë se lidhshmëria e hershme emocionale me një person të besueshëm, qoftë nëna, babai o ndonjë kujdestar, apo kushdo qoftë, i krijon fëmijës mundësinë për zhvillim të shëndetshëm emocional.

“Përvojat e fëmijës në fëmijëri të hershme, janë faktorë shumë të rëndësishëm në zhvillimin sa më optimal të potencialit të fëmijës. Sa më herët që fëmija ka mundësi të ketë një ambient familjar, aq më të larta do të jenë gjasat që ai të zhvillohet në potencialin e vet maksimal”.

”Shumë prej hulumtimeve në fushën e psikologjisë e potencojnë që mosha prej 0 deri në 3 vjet është shumë e rëndësishme, derisa hulumtimet e fundit flasin edhe për periudhën e para lindjes, se ai njeh zërin e nënës dhe braktisja e nënës i krijon stres të përhershëm”.

“Fëmija, nëse ndërron ambient dhe persona, si në institucione ku puna është me ndërrime, kjo mund të ndikojë keq më vonë në botën e tij emocionale”, ka sqaruar Perolli.

Drejtoresha e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, Donjeta Kelmendi, si problematikë për adoptimin e fëmijëve ka përmendur procedurat e stërzgjatura.

Sipas hulumtimit tonë, procedurat e adoptimit kanë rezultuar të gjata, pasi që shumë fëmijë rrinë me status të pazgjidhur, për shkak të rrethanave të ndryshme, qofshin ato familjare, si vërtetimi i atësisë së ADN-së, analizë kjo që nuk mund të bëhet në Kosovë", ka thënë Kelmendi për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Ariana Shala gjithashtu ka shpjeguar edhe për programet brenda SOS Fshatit, që ofrohen për fëmijët pa përkujdesje prindërore edhe pas moshës 18- vjeçare:

“Përveç kujdesit afatshkurtër, SOS Fshati i fëmijëve ofron edhe kujdes afatgjatë për fëmijët që për arsye të ndryshme, e humbin kujdesin prindëror. Në kuadër të kujdesit afatshkurtër, kemi SOS Familjen që ofron kujdes 24 orësh për fëmijët, ku është SOS Nana e që kalon nëpër shumë trajnime për përgatitjen për kujdesin e 6 fëmijëve që asaj i besohet. Këtu ka fëmijë nga mosha 0 deri në moshën 14-vjeçare, ndërsa pas kësaj moshe fëmijët dërgohen në shtëpinë e rinisë, ku punohet me ta në zhvillimin e shkathtësive të tyre”.

Sidoqoftë SOS Fshati edhe pas moshës 18-vjeçare nuk heq dorë nga këta fëmijë, ku ofrohet program tjetër që quhet programi i gjysmë pavarësimit. Këta të rinj përkrahen dhe u ofrohet mbështetje financiare, deri atëherë kur të jenë të përgatitur të kalojnë në pavarësi të plotë.