Kardiologët kërkojnë hetim ndaj prokurorëve

QKUK

Greva e kardiologëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, po vazhdon. Të enjten gjithë kardiologët kanë hyrë në grevë në vendin e tyre të punës.

Kjo pasi që Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet ndaj disa mjekëve në gjithë Kosovën, kryesisht kardiologë, me dyshimin se janë rekomanduar pacientët të shkojnë në spitale private, për vendosjen e stentave. Gjithashtu mjekët akuzohen për mitmarrje dhe invasion fiskal.

Shpend Elezi, kardiolog, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kërkojnë që të bëhet një hetim i zgjeruar edhe në Prokurorinë e Shtetit, pasi që mbi 10 për qind e specialistëve mjekësorë në gjithë Kosovën po hetohen. Ai këtë e quan problem shtetëror.

"Bërja publike në media e pothuajse të gjithë kardiologëve të Kosovës që janë nën hetime, mendoj se është një problem i madh, pasi që pothuajse gjithë kardiologët e një shteti po dyshohen dhe për neve është gjendje alarmante".

"Andaj, ne kërkojmë në mënyrë institutcionale të bëhet një zgjidhje në lidhje me qasjen që bëhet ndaj doktorëve. Konkretisht ne kërkojmë krijimin e një komisioni të posaqëm qoftë nga presidentja apo institutcione tjera relevante, që të hetojë punën e deritashme të prokurorëve me qasjen që kanë pasur me sektorin shëndetësorë. A ka arsye të bëhet gjithë kjo bujë, pasi bëhet fjalë për 10 për qind të specialistëve të gjithë Kosovës. Gjithashtu, të nënshkruhet memorandum mirëkuptimi mes Odës së Mjekëve të Kosovës dhe kryeprokurorit të Shtetit", tha Elezi..

Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se greva e kardiologëve do të vazhdojë derisa të takohen Ministri i Shëndetësisë me atë të Drejtësisë, me kryeprokurorin e Shtetit dhe të bisedojnë për kërkesat që sindikata i ka parashtruar.

"Kardiologët janë ende në grevë, dhe nëse nuk reflektojnë, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Drejtësisë, ne do të vazhdojmë grevën. Ne kërkojmë që të diskutojnë ministrat përkatës me kryeprokurorin e Shtetit, që të funksionalizohen ligjet që janë miratuar në Parlamentin e Kosovës, si Ligji mbi Odat dhe qasja ndaj mjekëve të jenë përmes mekanizmave që i parashikon ligji".

"Gjithashtu, brenda këtyre mekanizmave të jenë profesionistë që e vlerësojnë punën, por edhe gabimet e shkeljet në mjekësi, dhe jo të ketë qasje direkte të prokurorit dhe t'i lidhin kolegët tonë, e me skena mediale të bëhet bujë", tha Selmani.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka shpjeguar se mjekët do të kenë të drejtën ligjore që ua garanton Kushtetuta e Kosovës që të deklarohen dhe t'i prezentojnë faktet që shkojnë në favor të tyre, si dhe shpjegon për disa mundësi që ai do t'i përdorë si kryeprokuror.

"Pasi që kemi numër të madh të mjekëve, unë do të kërkojë që të zbatohet parimi i oportunitetit jo vetëm parimi i ligjshmërisë, pasi ligjdhënësi e parasheh që prokurori mund të tërhiqet nga ndjekja penale edhe në ato raste kur kemi të kryer ndonjë vepër të rëndësisë së vogël, kur nuk ka pasoja të dëmshme, atëherë prokurori i Shtetit ka të drejtë edhe nëse paraqiten elemente të veprës penale, për shkak të oportunitetit të mbyll një çështje penale", tha Lumezi.

Sidoqoftë, Sistemi i Emergjencës si dhe kardiologët që janë kujdestarë, janë duke kryer shërbimet shëndetësore, derisa vizitat ambulantore deri në ndërprerjen e grevës nuk do të funksionojnë.