Hollande: Asgjë s’na lëkund në luftën kundër terrorizmit

Paris

Presidenti i Francës, Francois Hollande, është zotuar se nuk do të lejojë që kërcënimet të dobësojnë vendosmërinë e vendit të tij kundër terrorizmit.

Komentet e Hollande vijnë një ditë pasi grupi ekstremist Shteti Islamik ka publikuar një video, e cila supozohet se tregon nëntë ekstremistë, të cilët kanë kryer sulme terroriste në Paris, në nëntor të vitit 2015.

“Nuk do të lëkundemi kurrë. Asnjë kërcënim nuk do ta ndalojë Francën të bëjë atë që duhet të bëjë për të luftuar terrorizmin. Së voni janë ndërmarrë masa për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme në Francë, sepse kërcënimi nga terrorizmi vazhdon. Ne nuk do të ndalojmë të punojmë në mbrojtje të vendit dhe lirisë sonë”, ka thënë Hollande përpara gazetarëve në Nju Delhi.

Hollande do të jetë i ftuari kryesor në paradën e Ditës së Republikës, që do të zhvillohet të martën në kryeqytetin e Indisë.

Në bisedimet me zyrtarët indianë, ai do të fokusohet në sigurinë, pas sulmeve të Parisit, të cilat kanë lënë të vrarë 130 veta.

I ashtuquajturi Shtet Islamik ka publikuar një video, e cila duket se tregon ekstremistët përpara kryerjes së sulmeve më 13 nëntor.

Pamjet tregojnë disa burra duke u prerë kokat të të burgosurve dhe duke bërë trajnime ushtarake në Lindjen e Mesme.

Ato po ashtu tregojnë lokacionet që janë sulmuar në Paris.

Videoja përfundon me imazhet e deputetëve britanikë, të cilët mbështesin sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri.

Videoja është publikuar përmes kanalit mediatik të Shtetit Islamik, ka thënë grupi monitorues Site.

Presidenti i Francës, Hollande, ka thënë se sulmet në Paris janë planifikuar në Siri, por janë përgatitur dhe organizuar në Belgjikë.

“Shteti Islamik është krenar me ata që i kanë kryer këto krime. Ai po na provokon në mënyrën më të keqe të mundshme. Por, kjo mund të na bëjë vetëm më të vendosur”, ka thënë Hollande.

Grupi monitorues Site ka thënë se videoja është filmuar në Raka, kryeqytetin de facto të Shtetit Islamik, përëpara sulmeve në Paris.

Një nga imazhet tregon një burrë që i ngjan shumë Abdelhamid Abaaoudit, organizatorit të dyshuar të sulmeve.

Abaaoud, shtetas belg, ka vdekur gjatë bastisjes së policisë në një apartament në lagjen Saint-Denis të Parisit, pak ditë pas sulmeve.

Nëntë sulmues të dyshuar kanë vdekur më 13 nëntor ose në ditët pas dhe dy të tjerë mbeten në arrati.

Nuk është e qartë se përse videoja, e cila i përshkruan sulmuesit si “luanë” që “kanë sjellë Francën në gjunj”, është lëshuar më shumë se dy muaj pas sulmeve.

Përgatiti: Valona Tela